Trajneri i ri i kombëtares, Edoardo “Edy” Reja ka mbërritur në Tiranë. Prezantimi zyrtar pritet të zhvillohet rreth orës 16:00 në ambientet e FSHF.
Edoardo “Edy” Reja është emri i përzgjedhur nga Federata Shqiptare e Futbollit për të drejtuar skuadrën kuqezi në kualifikueset për Europianin e vitit 2020, duke zëvendësuar në stol bashkëkombasin e tij, Christian Panucci, të shkarkuar pas humbjes që Shqipëria pësoi me Turqinë më 22 mars.
Caktimi i Edy Rejas për stolin kuqezi u jep fund kërkimeve të FSHF-së, fushatë për të cilën, ditët e fundit u përfol se ishte në kontakte edhe me kandidatë të tjerë, si Alberto Zaccheroni, apo edhe Francesco Guidolin. Mësohet se Reja do të mbërrijë ditën e martë në Tiranë për të nënshkruar edhe kontratën e tij me Federatën Shqiptare të Futbollit.
Edy Reja është një emër i njohur në futbollin italian. I lindur në vitin 1945, trajneri 73-vjeçar ka drejtuar një sërë skuadrash në Serie A, por edhe në Kroaci. Periudhën më të gjatë të qëndrimit në pankinë, Reja e ka kaluar pikërisht te Napoli në vitet 2005-2009, teksa e ndihmoi këtë skuadër të ngjitet nga Serie C1 në Serie A.
Pas aventurës te Napoli, Reja drejtoi Hajdukun e Splitit, ku qëndroi për një sezon, për t’u kthyer sërish në Itali nën drejtimin e Lazios, e më pas të Atalantës, që ishte edhe skuadra e fundit e tij. /Tch
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.