Krisja që ekziston mes Zinedin Zidanit dhe Kupës së Mbretit duket shumë e thellë dhe ky “raport” nuk ka ndërmend që të përmirësohet, për momentin. Ky përfundim nuk del nga fakti që Reali i Madridit u eliminua nga Kupa dy ditë më parë nga Real Sociedadi, por për faktin se kurrë më parë nuk e ka fituar në karrierën e tij si lojtar apo si trajner.
Palmaresi i Zidanit është i mrekullueshëm si lojtar, po ashtu edhe si trajner, por në të mungon Kupa. E dini më të çuditshmen? Nuk është një statistikë vetëm për Realin e Madridit, por edhe me Bordonë në Francë dhe me Juventusin në Itali. Nuk arriti kurrë që në karrierën e tij të ngrinte një trofe si Kupa. Ky mallkim vazhdon ta përndjekë ende dhe si trajner te Reali i Madridit.
Zinedin Zidan ka luajtur 3 finale të Kupës në karrierën e tij, 2 me Realin e Madridit dhe një me Juventusin. Në asnjërën prej tyre nuk arriti që të fitonte dhe u largua i mposhtur. Si trajner, nuk ia ka dalë dot që të shkojë më shumë sesa çerekfinalet. Ai është eliminuar kundër Selta Vigos, Leganesit dhe Real Sociedadit, gjithmonë në fazën çerekfinale. zidan
Këtë sezon, Zizu shpenzoi shumë energji dhe deklaroi haptazi që e donte Kupën e Mbretit, por u mposht 3-4 kundër Sociedadit në “Bernabeu” dhe i dha lamtumirën këtij kompeticioni.
Megjithatë, ka një fakt që mund ta ngushëllojë trajnerin francez dhe kjo lidhet me fitoren që arriti si ndihmës i Karlo Ançelotit në vitin 2014. Tani i ka mbetur vetëm që të përqendrohet në kampionat dhe Champions, sepse trajneri ka të drejtë kur thotë se ende nuk ka fituar gjë.