×
  • Sport
  • EURO 2024 / Fundi i ëndrrës evropiane

    Shqipëria lë gjurmë me guximin në Evropian

    Reporteri
    24 Qershor 2024 | 22:56

    Shqipëria ka mbyllur Evropianin me humbje nga Spanja, por rrugëtimi i saj në Gjermani u karakterizua për guximin që tregoi në grupin e vdekjes dhe që bëri famë me tifozët kuqezinj që e përcollën në numër shumë të madh.

    Edhe në ndeshjen kundër Spanjës është raportuar se në stadiumin e Dyseldorfit ishin rreth 45 mijë tifozë shqiptarë, të cilët me përkrahjen e tyre jepnin përshtypjen sikur ndeshja po luhej në stadiumin e Tiranës.

    Kuqezinjtë lanë gjurmët e tyre që në ndeshjen e parë, duke thyer rekord. Ishte Nedim Bajrami, i cili tani mban rekordin për golin më të shpejtë në histori të Evropianëve. Ai ndaj Italisë realizoi në sekondën e 23.

    Ndërkaq, në ndeshjen e dytë ndaj Kroacisë, Klaus Gjasula theu rekordin si zëvendësuesi i parë që realizoi autogol dhe gol në të njëjtën ndeshje. Ai realizoi golin e barazimit në 2 me 2 ndaj Kroacisë në minutat e fundit të takimit.

    Në ndeshjen kundër Spanjës, Kristjan Asllani dhe Armando Broja kishin rastet më të mira për të realizuar.

    Armando Broja me një goditje me të parën tentoi të realizonte, por në vend ishte portieri spanjoll David Raya.

    Kristjan Asllani nisi një goditje të lirë me shpejtësi në minutën e 66 dhe harkimin e tij me të parën e goditi sulmuesi Broja, por atë e priti Raya.

    Ndërkaq, Ferran Torres ka realizuar në minutën e 13 për fitoren minimale të Spanjës.

    Ishte Dani Olmo që lëshoi një pasim të mirë brenda zonës së mbrojtjes shqiptare dhe me këmbën e majtë Ferran realizoi për 1 me 0.

    Është vetëm hera e dytë që Kuqezinjtë arrijnë Evropianin pas atij të vitit 2016 në Francë, teksa në vitin 2024 ishin në atë që njihej si grupi i vdekjes, i përbërë nga Spanja, Italia dhe Kroacia.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!