×
  • Sport
  • Sport

    UEFA: Kosova del nga errësira

    Reporteri
    21 Mars 2019 | 13:17

    Duke e lënë prapa një të kaluar të vështirë, në të cilën futbolli në Kosovë u zhvillua jashtë shtëpive të mëdha të futbollit, Kosova e ka përjetuar një revolucion të vërtetë që kur u pranua si anëtare e UEFA-s, në vitin 2016.


    Falë një rritjeje të shpejtë dhe numrit të madh të lojtarëve të rinj të talentuar, Kosova mund ta presë një të ardhme shumë të ndritur, pasi që sukseset e fundit në Ligën e Kombeve po e lejojnë Kosovën të ëndërrojë për kualifikim në EURO 2020, shkruan UEFA.

    Një faqe e re në historinë e vendit ballkanik u shkrua në bregdetin e Finlandës, në shtator të vitit 2016. Në stadiumin Hansa në Turku, ekipi kombëtar i Kosovës u përgatit për ta luajtur ndeshjen e parë me karakter garues, ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2018.

    Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kishte udhëtuar me skuadrën dhe e shijojnte shoqërinë e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit.

    Për presidentin e Federatës së Futbollit ët Kosovës, ajo ishte një ditë e çmendur. Vetëm disa orë para fillimit të ndeshjes, Kosova ende nuk e kishte një skuadër të plotë.

    “Ne po e prisnim lejen e FIFA-s për t’i futur një numër të lojtarëve në fushë pasi që ata më herët i kishin përfaqsuar disa vende të tjera”, ka sqaruar Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së. “Ne nuk i kishim as 11 lojtarë një ditë para ndeshjes”.

    Një nga një, lojtarët e morën lejen për të luajtur. Vetëm pesë orë para ndeshjes, FIFA ia dha dritën e gjelbër gjashtë lojtarëve të tjerë dhe trajneri Albert Bunjaki e kishte një skuadër të plotë për atë ndeshje. Aty filloi magjia.

    Pas 60 minutave lojë, me Finlandën në epërsi, Valon Berisha e shënoi golin e parë të vendit të tij, nga pika e penalltisë. Ish-përfaqësuesi i Norvegjisë e vendosi Kosovën në hartën e futbollit botëror.

    Beteja për qasshmëri

    Futbolli kishte qenë pjesë e kulturës së këtij vendi të vogël ballkanik për më shumë se 100 vjet. Por, lufta, shkatërrimi i Jugosllavisë dhe statusi i pazgjidhur i vendit e kishin detyruar futbollin e Kosovës të zhvillohet në errësirë deri në ditën e shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008.

    FFK-ja aplikoi për anëtarësim në FIFA dhe UEFA në pranverë të atij viti, por ata u detyruan të presin edhe më shumë para se t’i bashkohen familjes ndërkombëtare të futbollit. Jo të gjitha vendet e njohën pavarësinë e Kosovës dhe aplikimi i tyre u refuzua për shkak se ishte në kundërshtim me statusin e FIFA-s.

    “Fadil Vokrri luftoi për vite të tëra:, thotë zëvendëspresidenti aktual i FFK-së, Predrag Jovic. “Ai argumentonte se vendi ynë e donte shumë futbollin, që tifozët tanë ishim shembullorë dhe se nuk ishte asnjë arsye për t’ia pamundësuar mijërave kosovarëve jetesën nga pasioni i tyre për futbollin”.

    Në vitin 2014, FIFA ia dha Kosovës të drejtën për të luajtur ndeshje miqësore, por pa flamur dhe pa himn kombëtar. FIFA ende nuk pranonte ta bënte FFK-në anëtare.

    Pastaj, në Kongresin e Rregullt të UEFA-s në Budapest, më 3 maj të vitit 2016, retë u shpërndanë pasi që shumica e delegatëve veotuan pro anëtarësimit të FFK-së në UEFA. FFK-ja u bë anëtare e FIFA-s vetëm dhjetë ditë më vonë.

    “Që nga ai moment, gjithçka ndryshoi shumë shpejt në aspektin pozitiv”, thotë Eroll Salihu. “Ne e kishim mundësinë t’i organizonim ligat tona, të luanim në nivelin ndërkombëtar, t’i shisnim të drejtat televizive dhe kishim qasje në fondet e UEFA-s dhe FIFA-s”, transmeton Gazeta Express.

    Nevoja urgjente për fusha

    Ndihma financiare ia mundësoi FFK-së ta fillojë punën në njërën prej sfidave më të mëdha: zhvillimin e infrastrukturës së sportit.

    “Është njëra ndër problemet e këtij vendi”, thotë Sanije Krasniqi, ndihmëstrajnere e ekipit kombëtar të vajzave të Kosovës. “Për një kohë të gjatë, disa klube e kanë pasur vetëm një fushë për të gjitha ekipet e tyre, prej juniorëve e deri te skuadra e Superligës”.

    Ka nevojë urgjente për më shumë fusha futbolli në Kosovë, pasi që kërkesat po rriten ditë pas dite.

    “Gjithmonë e më shumë lojtarë po i bashkohet ekipeve tona të të rinjve. Ne i kishim 150 lojtarë në vitin 2014, por tani i kemi më shumë se 300”, thotë Arton Hajdari, drejtor i qendrës sportive dhe trajner i ekipit U-19 të Feronikelit. “Ne u detyruam të ndërtojmë më shuëm fusha për t’i akomoduar të gjithë”.

    FFK-ja e mori këtë mesazh dhe që nga viti 2016 ata kanë qenë duke punuar për ta përmirësuar situatën në shtatë regjionet e vendit.

    “Gjërat kanë ndryshuar shumë shpejt. Ne i ndërtuam gjashtë fusha artificiale në vitin 2018, ndërsa gjashtë të tjera do t’i ndërtojmë në të ardhmen e afërt”, tregon Jovic.

    Infrastruktura për ekipin kombëtar do të përmirësohet, pasi që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka miratuar ndërtimin e një tjetër stadiumi, rreth 20 kilometra larg Prishtinës, që do t’i ketë 30 mijë ulëse. Ky stadium pritet të hapet në dy apo tri vjetët e ardhshme.

    “Kosova për momentin luan në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, që i ka 13 mijë ulëse, por kërkesa për bileta është shumë e lartë. Ky stadium i ri do t’i akomodojë më shumë tifozë dhe do të sjellë më shumë përfitime nga biletat”, sqaron Salihu.

    Trajnimi i trajnerëve

    Qëllimi kryesor i këtij programi për përmirësim është ofrimi i fushave të mjaftueshme për t’ua dhënë mundësinë lojtarëve që ta arrijnë potencialin e tyre të plotë.

    Një tjetër pjesë e këtij mozaiku është trajnimi i një stafi kompetent. Kjo është përgjegjësia e drejtorit teknik të FFK-së, Michael Nees, i cili erdhi në Kosovë si pjesë e programit të Ministrisë së Gjermanisë për Punë të Jashtme.

    “Ne duam ta krijojmë një strukturë të mirë stëvitore, në fjalë të tjera duam të zhvillojmë ekipe teknike për t’i kërkuar lojtarët e rinj të Kosovës, për të ardhmen e ekipit kombëtar”, sqaron trajneri.

    “Ne ishim prapa në shumë aspekte. Ne nuk e kishim një program zhvillues për trajnerët e fitnesit dhe ende nuk kemi analistë”, thotë Nees, “ndërsa të gjitha ekipet e mëdha i kanë dy ose tre analistë. Por, ne jemi duke arritur atje hap pas hapi dhe tani jemi duke i stërvitur ekipet teknike, sepse trajnerët janë çelësi”.

    Strategu gjerman ka nxjerrë agjenda sipas të cilave FFK-ja, së bashku me ndihmën e instruktorëve të UEFA-s, do t’i stërvisë trajnerët në nivelet e licencave C, B e pastaj A. Qëllimi ambicioz është që numri i trajnerëve të rritet nga 120 në 500 deri në vitin 2021, përcjell Gazeta Express.

    Sanije Krasniqi punon ngushtë me drejtorin e saj teknik. Para se ta merrte kryesimin në akademitë e futbollit të Kosovës, ajo punonte si mësuesse dhe i referonte të gjitha kategoritë e futbollit të të rinjve. Ajo është e vetëdijshme për potencialin e lojtarëve të rinj të Kosovës.

    “Ne kemi shumë lojtarë të rinj të talentuar, por trajnerët duhet t’u ndihmojnë atyre që të arrijnë shumë në këtë sport. Nëse ne e bëjmë punën tonë ashtu siç duhet, e ardhmja do të jetë shumë e ndritur”, ka thënë Krasniqi, e cila ishte e para grua që referoi në një ndeshje të Super Ligës së Kosovës.

    “Në Kosovë, 60 për qind e popullsisë është nën moshën 30-vjeçare. Ne jemi një vend i ri, por është e vështirë të punosh pa staf profesionist. Lojtarët e rinj janë në duar të mira deri në moshën 14-vjeçare, por kur ata e arrijnë adoleshencën, kanë nevojë për trajnerë të aftë për të arritur në nivelin më të lartë të futbollit”.

    Për këtë gjë nevojitet durim: farat e mbjella nga FFK-ja janë duke dhënë fruta në nivelin e të rinjve, kur ekipet kosovare kanë arritur majft shumë në skenën ndërkombëtare.

    “Sa i përket zhvillimin në dy vjetët e fundit, ne jemi ndër ekipet më të mirë në botë”, thotë Michael Nees i kënaqur. “Ekipi U-21, që po luan për herë të parë në kualifikime për Evropian, i rezultoi Gjermanisë, kampionatin aktual botëror (ndeshja përfundoi 0:0 në Prishtinë, shtatorin e kaluar). Ekipi U-17 është kualifikuar me lehtësi në rundin elitar, që do të zhvillohet në mars, si dhe ekipi U-19 ka qenë i mrekullueshëm”.

    Vajzat i përgjigjen thirrjeve

    Futbolli nuk është vetëm për djem, natyrisht. Vajzave kosovare u pëlqen futbolli po aq sa djemve dhe zhvillimi i futbollit të vajzave ka qenë njëra ndër prioritetet e FFK-së që kur u bë anëtare e UEFA-s, në vitin 2016.

    Para se të fillonte ndërtimi i ndonjë ekipi, ishte e rëndësishme që FFK-ja t’ua bënte atyre punën më të lehtë për t’iu bashkuar ekipeve.

    “Disa vajza jetojnë në fshatëra dhe është shumë e vështirë për ato që të vijnë të luajnë sepse nuk dinë se me kë të folin ose se si ta gjejnë ndonjë klub”, thotë Valbona Gashi, drejtorja e futbollit të grave në FFK, e cila ka qenë duke e drejtuar programit e rekrutimit të vajzave në moshën 9 deri në 12-vjeçare.

    Kjo iniciativë e mbështetur nga UEFA është një burim i madh krenarie për FFK-në. “Ne i ftuam shkollat nga i gjithë vendi që të marrin pjesë”, thotë Gashi. “Çdo shkollë garoi me të paktën nga një ekip dhe fituesit u kualifikuan për finalet në kryeqytet. Trajnerët nga klubet kosovare morën pjesë në këto ndeshje dhe trajnerët e ekipëve kombëtare U-16 dhe U-19 ishin aty gjithashtu”.

    Një mijë vajza nga 99 shkolla nga i gjithë vendi morën pjesë, duke i përfshirë këtu disa të cilat luajtën për herë të parë në fusha të vërteta futbolli.

    “Isha shumë e emocionuar”, thotë Valbona Gashi, “sepse i pashë vajzat duke qarë pse e kishin humbur një ndeshje. Ato donin të fitonin me ngulm. Disa prej tyre u pëlqene futbolli aq shumë saqë ëndërronin ta përfaqësonin Kosovën një ditë”.

    Në nivelin ‘senior’, ekpi kombëtar i vajzave e zhvilloi ndeshjen e parë me karakter garues vitin e kaluar, ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës. Kjo garë e vështirë filloi me një ndeshje të veçantë kundër Shqipërisë.

    “Ishte shumë e vështirë dhe shumë emocionale në të njëjtën kohë”, thotë Sanije Krasniqi. “Ne u rritëm me të njëjtin flamur, e ndajmë të njëjtën histori. Shuma lojtarë të Shqipërisë kanë prejardhje nga Kosova. Dhe tani, ne dëshironim t’i mposhtim ato!”.

    Ngjashëm me ekipin e djemve, shumë vajza të ekipit kombëtar jetojnë jashtë Kosovës. Është e natyrshme që ato të duan të jenë afër familjes së tyre, pasi ishin shpërndarë nëpër Evropë para ose gjatë luftës. “Ne kemi lidhje shumë të ngushtë me diasporën tonë, edhe pse nuk kemi skuatë atje”, thotë Krasniqi. “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me kosovarë të cilët përfshihen në futboll jashtë Kosovës. Është edhe më e lehtë tani përmes internetit”.

    Suksesi në Ligën e Kombeve

    Me lojtarë si Valon Berisha, Benjamin Kololli, Milot Rashica dhe Enis Alushi, kurrizi i ekipit kombëtar të Kosovës është i ndërtuar nga lojtarë që kanë lindur dhe janë rritur jashtë. Sukseset e fundit të ekipit janë pjesërisht falë përvojës së këtyre lojtarëve në nivelin më të lartë të futbollit evropian, transmeton Gazeta Express.

    Që nga kampanja inauguruese në kualifikimet e Kupës së Botës, kur ata e përfunduan grupin me vetëm një pikë, rekordi i Kosovës ka qenë mbresëlënës, fillimisht në ndeshje miqësore e pastaj në Ligën e Kombeve, ku Kosova e fitoi grupin. Fakti që ata kishin mundësi të luanin në shtëpi, në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte shumë i rëndësishëm.

    “Më herët ne i luanim ndeshjet e shtëpisë në Shkodër të Shqipërisë, por tifozët tanë e kishin të vështirë të shkonin atje. Zhvillimi i ndeshjeve në Prishtinë ishte një gjë e mirë edhe për tifozët, edhe për lojtarët”, thotë Diturie Hoxha, zëdhënëse në FFK. “Të gjitha biletat për ndeshjen kundër Ishujve Faroi u shitën brenda pak orëve. Kishte shumë njerëz që prisnin jashtë pikave të shitjes. Dukej se po ndodhte ndonjë lloj demonstrate”.

    Të pamposhtur në stadiumin Fadil Vokrri, djemtë e Bernard Challandes tani janë në një ecuri prej dhjetë ndeshjeve të pamposhtur.

    “Liga e Kombeve ka qenë një hap i madh përpara për ne. Falë rezultateve tona, ne do ta kemi mundësinë të kualifikohemi në EURO 2020, që është synimi ynë i radhës”, thotë Predrag Jovic. “Mendoj se do të përfundojmë në pozitën e dytë, pas Anglisë, në grupin kualifikues, por edhe nëse nuk kualifikohemi përmes kësaj rruge, do ta kemi mundësinë të kualifikohemi përmes play-offs”.

    Ambiciet e Kosovës në futboll nuk kanë kufij. FFK-ja është duke e ngritur nivelin e lojës hap pas hapi, përmes mbështetjes nga organet qeverisëse të futbollit evropian dhe ndërkombëtar, si dhe përmes pasionit që ka kontribuar në rritjen e futbollit në Kosovë, qoftë në Federatë, ekip kombëtar apo në nivelin e klubeve.

    “Kam qenë këtu për 18 vjet tani dhe nuk do të largohem derisa ta fitojmë titullin e Ligës së Kampionëve”, thotë duke qeshur Smajli, sekretar i përgjithshëm në Feronikel. Ai dhe shoku i tij, Elmi, nuk do ta harrojnë asnjëherë të klaurën, por e shohin futbollin si mënyrë për të ecur përpara. “Zona rreth Drenasit ishte shkatërruar. Bombardimet e shkatërruan 80 për qind të qytetit. U detyruam të rindërtojmë gjithçka: shtëpitë, fushat e futbollit… Elmiu ishte këtu çdo ditë për ta rindërtuar klubin dhe fakti që Feronikeli është gjallë sot është falë njerëzve si ai. Nganjëherë, jemi shumë krenar për këtë gjë dhe kjo premton një të ardhme të ndritur për qytetin tonë”.

    Në Drenas, dhe në pjesën tjetër të Kosovës, futbolli është më shumë sesa vetëm një sport.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!