×
  • Sport
  • Sport

    Ujkani: Nuk jemi në nivel të Spanjës, duhet të luftojmë me Greqinë

    Reporteri
    30 Mars 2021 | 13:50

    Portieri i Kombëtares së Kosovës Samir Ujkani ka folur për gazetën spanjolle “Marca”, ku iu përgjigj shumë pyetjeve, disa në lidhje me historinë e tij dhe disa për ndeshjen e nesërme kundër Spanjës.


    Ujkani e filloi duke treguar historinë e tij, ku tha që ishte ëndërr e tij që të reprezentojë në arenën ndërkombëtare shtetin ku ka lindur, përcjell Klan Kosova.

    “Unë kam lindur në Kosovë, e cila atëkohë i takonte Jugosllavisë. Në vitin 1994 ne u larguam për shkak të luftës. Arritëm në Belgjikë. Jam rritur aty, dhe mund të zgjedhja të luaja për Kombëtaren e Belgjikës ose Shqipërisë. Zgjedha të luaja për Shqipërinë sepse familja ime është shqiptare, dhe Kombëtarja e Kosovës nuk ekzistonte. Luajta në 20 ndeshje për Shqipërinë. Por ëndrra ime është që të luaja për atdheun tim, kështu që kur Kosova u pranua si shtet, menjëherë fillova procedurat që të ndërroja kombëtaren. Isha i pari që e bëra këtë gjë, dhe do ta bëja përsëri edhe nëse do të luaja vetëm në miqësore”, tha Ujkani.

    Më pas siç shkruan kosovapress, Ujkani u pyet rreth skandaleve me Spanjën dhe mediat spanjolle para ndeshjes në Sevillë, ku nuk u shpreh i nervozuar, dhe tha që politika nuk duhet të përfshihet në sport.

    “Fatmirësisht, sporti është më i fortë se politika. Çdo gjë ka shkuar mirë. Kundër Ukrainës, ne luajtëm në Poloni. Sporti hap shumë dyer, bashkon popuj dhe njerëz. Me problemet e shumta që ka bota, futbolli duhet të shërbejë si urë lidhëse, qetësim. Për ta shijuar”, u përgjigj Ujkani.

    Së fundmi, Ujkani foli edhe rreth objektivave që ka Kosova, ku u shpreh se nuk është në nivel të njëjtë me Spanjën, por mund të luftojnë me Greqinë.

    “Të shohim. Që të bëjmë diçka kundër Spanjës, na duhet një mrekulli, sepse është favorite pa dyshim. Qëllimi jonë është të shkojmë sa më lartë që mundemi. Ky është mentaliteti jonë. Ne jemi një skuadër që nuk kemi shumë eksperiencë, por me hapa të sigurte vërehet se lojtarët tanë janë në ekipe tejet të mira në kampionate. Niveli jonë është të luftojmë me Greqinë, jo me Spanjën. Por çdo ndeshje është ndryshe. Ne kemi dëshirë që të kënaqemi dhe do të shohim se çdo ndodhë”, tha Ujkani.

    Nesër me fillim nga ora 20:45, Kosova do të zhvillojë ndeshje historike kundër Kombëtares së Spanjës, ndeshje kjo në kuadër të Grupit B për kualifikime në Botërorin “Katar 2022”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!