Bayern Munich ka arritur në finale të Kupës së Gjermanisë falë një goli të vonshëm të Robert Lewandowskit nga penalltia, pas triumfit 3:2 kundër Werder Bremenit, të cilit s’i mjaftoi shkëlqimi i kosovarit Milot Rashica.
Dy gola të sulmuesit polak Lewandowski dhe një nga Thomas Muller i mjaftuan skuadrës së Niko Kovacit të fitojë 3:2, ndaj Bremenit të mërkurën në gjysmëfinale në Bremen.
Kampioni aktual i Gjermanisë kaloi në epërsi përmes Lewandowskit pas 26-minuta lojë, në një pjesë të parë që prodhoi shumë raste.
Pas një ore lojë, Muller e dyfishoi epërsinë e bavarezëve dhe u mendua se gjërat kishin marrë fund për Bremenin.
Megjithatë, anësori i ekipit kombëtar të Kosovës, Milot Rashica, pati diçka tjetër në mendje.
Kosovari e ktheu Bremenin në lojë me aftësitë e tij të mrekullueshëm brenda dy minutave.
24-vjeçari së pari asistoi për Yuto Osake në minutën e 74-të dhe vetëm një minutë më vonë, ai shënoi një supergol individual duke e barazuar rezultatin në 2:2.
Ky ishte goli i tretë në katër ndeshje në Kupën e Gjermanisë për Rashicën.
Megjithatë, Muller e fitoi një penallti rreth dhjetë minuta para fundit, me Lewandowskin që u tregua i saktë nga pika e bardhë.
Bayern Munich do të përballet me RB Leipzig në finale të Kupës së Gjermanisë.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.