Xavi: Jemi të zhgënjyer, ishim superior ndaj Madridit

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, tha se është i zhgënjyer për humbjen, por krenar për ekipin e tij dhe për “dominimin dhe të qenit superior ndaj Real Madridit në shumë minuta”.

Barcelona ishte dy herë në ndjekje të rezultatit në kohën e rregullt, dhe dy herë barazoi atë fillimisht për 1-1 dhe për 2-2.

Por, në minutën e 98’, Fede Valverde shënoi nga një kundërsulm vrasës i Realit, që doli të jetë goli i fitores pasi deri në fund, Madridi u kualifikua në finale.

“Ishim disi të ndrojtur për 20 apo 25 minuta, por më pas nisëm të bëjmë lojën tonë. Larguam frikën dhe treguam karakter, ishte ndeshje që na ndihmon tepër të rritemi. Unë mund të ju them se jam krenar dhe se një ditë, insistoj, do të heqim komplekset tona. Ne heqim komplekset. Kjo Barça mund të konkurrojë me këdo”, tha Xavi.

“Na mungoi durimi. Po na mungon pika e kthesës, por jemi afër. Kemi dominuar Madridin, i cili u kthye prapa. Është për të ardhur keq. Largohemi të zemëruar dhe të mërzitur. Mund të kishim fituar”.