Cristiano Ronaldo sot është njëri nga lojtarët më të mirë në histori të futbollit ku ka fituar 5 herë Topin e Artë, ka shënuar mbi 700 gola si dhe ka fituar shumë tituj si me klub ashtu edhe me Kombëtare, shkruan Reporteri.net
Ylli portugez talentin e shfaqi te Sportingu i Lisbonës, nga ku më pas kaloi te Manchester United, por ai shumë lehtë mund të kishte përfunduar te Liverpooli.
Liverpooli kishte refuzuar që ta transferonte Ronaldon, pasi kishin frikë se ai do të shkaktonte probleme si 18 vjeçar në dhomat e zhveshjes.
Gjithashtu, frika ekzistone edhe te rroga e tij e lartë për moshën që kishte. Gerard Houllier, atë kohë trajner i Liverpoolit nuk dëshironte që ta prishte harmoninë në dhomat e zhveshjes.
Phil Thompson ish-asistenti i Gerard Houllier te Liverpooli tregon prapaskenat:
“Ata dëshironin që ta largonin Ronaldon nga Sporting. Më thanë që vlera e tij ishte 4 milionë, por ata më shpjeguan se mund të paguhej gjatë një kontrate katër vjeçare, nga 1 milion euro në vit.
“Unë pyeta se çfarë lloj page do të dëshironte ai dhe ata thanë 1 milion euro në vit. Kjo ishte shumë për një fëmijë 18-vjeçar, por ata thanë që ishte e negociueshme.
Thompson më pas mësoi se Ronaldo kishte nënshkruar për United për shumën prej 12 milionë euro dhe ishte befasuar.
“Unë nuk mund t’i besoja syve të mi,” shtoi ai.
“Ishte mahnitëse që vlera e tij u trefishua. Ai ishte qartë një talent i madh, por askush nuk mund ta parashikonte se sa i madh do të ishte”.
Ronaldo kalimin te Liverpooli e quante si një ëndërr në të kaluarën:
“Liverpooli është njëri nga klubet më të mira në Angli dhe do të ishte ëndërr për secilin lojtarë që të luante në një klub me kaq traditë,” kishte thënë Ronaldo.
“Unë duhet të shpresoj se ata do të bëjnë një ofertë të mirë për Sportingun si dhe për mua.
Por, kjo ‘ëndërr’ nuk iu plotësuar Ronaldos, pasi Manchester United ishte klubi që e bleu atë për 12 milionë euro. /Reporteri.net/