×
  • Sport
  • Sport

    Zeka kërkohet nga klube gjermane dhe holandeze, por synon që të debutojë në kampionatin francez

    Reporteri
    29 Mars 2020 | 21:06

    Agim Zeka është një tjetër produkt i futbollit kosovar, i cili për një periudhë të shkurtër arriti që të depërtonte në arenën ndërkombëtare.


    Transferimi te Skënderbeu i Korçës i bëri ‘hajr’ futbollisti kryeqytetas, i cili u transferua në janarin e vitit 2018 te skuadra e njohur franceze Lille.

    Lëndimet dhe fati jo i mirë bënë që ai të huazohej dy herë në Portugali dhe njëherë në Holandë, për t’u rikthyer më pas sërish te Lille.

    21 vjeçari e ka kaluar tashmë plotësisht lëndimin, i cili e mbajti një kohë jashtë fushave të blerta dhe synon që shumë shpejtë të debutojë në ekipin e parë të Lilles.

    Zeka ka folur në një intervistë ekskluzive për gazetën “Sheshi”, duke rrëfyer kohën të cilën po e kalon në ‘karantinë’, rikthimin nga lëndimi dhe deri tek ofertat për edicionin e ardhshëm.

    “Periudha në këtë kohë izolimi është mjaft e vështirë për të gjithë, sidomos për ne futbollistët të cilët jemi vazhdimisht të angazhuar me aktivitete fizike. Por, shëndeti është më i rëndësishëm dhe ne duhet ta kuptojmë këtë gjendje dhe ta rrespektojmë atë”, theksoi fillimisht sulmuesi kryeqytetas.

    Agim Zeka së fundmi ishte i huazuar te skuadra holandeze Fortuna Sittard.

    Pas lëndimit që pësoi muaj më parë tashmë gjendja fizike e Zekës është mjaft e mirë, ndërkohë që thekson që mezi po i pret ndeshjet.

    “Gjendja ime fizike është shumë e mirë, jam duke u munduar ta mbajë ritmin edhe pse kisha vështirësi nga lëndimi. Por tani jam shumë mirë dhe po e pres me padurim rikthimin në fushat e blerta”, deklaroi reprezentuesi i Shqipërisë U21.

    Objektivi kryesor i Zekës mbetet debutimi në Ligue 1 të Francës, ndërkohë që beson që me punë do të ja arrijë këtij qëllimi.

    “Objektivat e mia janë që të debutojë në kampionatin elitar të Francës. Jam afër këtij qëllimi dhe besoj që do ta realizoj me sukses këtë objektiv”, shtoi ndër të tjerash ai.

    Agim Zeka u bë pjesë e skuadrës franceze Lille në janar të vitit 2018.

    Ai më pas zbuloi se ka disa oferta për edicionin e ardhshëm, por nuk e përjashton edhe opsionin e rinovimit me Lillen.

    “E ardhmja nuk i dihet akoma. Kam disa oferta nga Holanda dhe Gjermani. Por, mund edhe të rinovoj me Lillen”, përfundoi talenti prishtinas.

    Përpara se të fillonte karrierën ndërkombëtare, Zeka ishte pjesë e klubit kryeqytetas FC Prishtina, nga i’u bashkua Skënderbeut të Korçës në shkurt të vitit 2016.

    Ai numëron gjithashtu tetë paraqitje për ekipin e 21 vjeçarëve të Shqipërisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!