Zvicra i druhet pezullimit të Xhakës e Shaqirit pas njoftimit për krijimin e Superligës Evropiane

Te Zvicra janë duke iu frikësuar se Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri mund të pezullohen nga përfaqësuesja nëse luajnë me klubet e tyre në Superligën Evropiane.


12 klube të mëdha, përfshirë edhe Arsenalin ku luan Granit Xhaka e Liverpoolin ku luan Xherdan Shaqiri, janë themeluese të Superligës Evropiane. Me këtë ka ngjallë reagime të shumta në botën e futbollit. UEFA kishte paralajmëruar pezullime për lojtarët që luajnë në garë të tillë, ndërsa edhe FIFA kishte njoftuar se mund të ketë edhe pezullime nga Botërori.

“Nëse vjen vërtetë te një Superligë Evropiane, atëherë UEFA ka fuqinë, që Xhakës dhe Shaqirit si shembull t’ia ndalojë pjesëmarrjen në një ndeshje eliminatore për Botëror apo pjesëmarrjen në Kampionat Evropian. Për Zvicrën do të ishte goditje e madhe. Kapiteni Xhaka është drejtuesi dhe koka në mesfushë, Shaqiri zëvendësi i tij dhe në ofensivë është pothuajse i pazëvendësueshëm si krijues. Fjala e fundit në këtë mosmarrëveshje ende nuk është thënë. Nga perspektiva e përfaqësueses mbetet vetëm të shpresohet që UEFA nuk do të veprojë siç ka paralajmëruar”, ka shkruar gazeta “Blick”.

Superliga Evropiane mund të prekë edhe lojtarë tjerë shqiptarë. Reprezentuesi i Shqipërisë, Giacomo Vrioni, është nën kontratë me Juventusin, ndërsa Armando Broja është nën kontratë me Chelsean , mirëpo i huazuar te Vitesse në Holandë.