×
  • Sport
  • Sport

    Zyrtare: Lampard emërohet trajneri i ri i Chelseat

    Reporteri
    04 Korrik 2019 | 10:28

    Njëri ndër lojtarët më legjendarë në histori të Chelseat, Frank Lampard, do të kthehet në Stamford Bridge për sezonin 2018/19, por këtë herë do të ulet në karrigen e trajnerit.


    Chelsea e ka zyrtarizuar emërimin e Frank Lampardit në pozitën e trajnerit të klubit londinez, pasi ish-mesfushori i “Blues” ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin, duke u bërë kështu zëvendësuesi i Maurizio Sarrit, transmeton Gazeta Express.

    “Jam thellësisht krenar që po kthehem në Chelsea si trajner. Të gjithë e dinë dashurinë time për këtë klub dhe historinë që e kemi ndarë bashkë. Megjithatë, fokusi im i vetëm është puna që e kam në duar dhe përgatitjet për sezonin e ardhshëm”, u shpreh Lampardi.

    “Jam këtu për të punuar shumë dhe për t’i sjellë klubit edhe më shumë suksese. Mezi po pres ta fillojë punën”, shtoi anglezi, i cili sezonin e kaluar e drejtoi Derby Countyn në Championship, nivelin e dytë të futbollit në Angli.

    41-vjeçari kthehet në klubin ku kishte luajtur për 13 vjet, duke i shënuar 211 gola në 649 ndeshje në atë që mbetet epoka më e suksesshme në historinë e klubit.

    Lampardi i fitoi tre tituj të Premierligës, titullin e Ligës së Kampionëve, katër tituj të FA Cup, dy tituj të League Cup dhe një titull të Ligës së Evropës. Ai gjithashtu ishte i dyti në radhë për Topin e Artë në vitin 2005, pas Ronaldinhos.

    Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, raporton se Lampardi do ta sjellë me vete stafin e tij që e kishte në Derby County. Ish-mesfushori i Chelseat, Jody Morris, do të jetë ndihmësi i tij edhe në Stamford Bridge.

    Ish-trajneri i “Blues”, Chris Jones, gjithashtu do të kthehet, përderisa zyrtari për vlerësimin e paraqitjeve, Steve Rands, besohet se do të jetë njëri personat të cilët do t’i bashkohen klubit londinez.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!