×
  • Extra
  • Tech&Auto

    Do të na lehtësojë jetën! Risia e Google është ajo që kemi pritur më gjatë

    Reporteri
    28 Qershor 2020 | 18:36

    Të mërkurën, Google njoftoi ndryshime të mëdha për përdoruesit e rinj, përfshirë një ndryshim të rëndësishëm për sa i përket privatësisë. Kompania do të mundësojë fshirjen automatike të të dhënave, për herë të parë.


    Google do të fshijë automatikisht historikun e kërkimit (në ueb ose brenda aplikacionit), historikun e vendndodhjes dhe komandat zanore të mbledhura përmes Google Assistant ose Google Home. Google i regjistron këto të dhëna në faqen “Aktiviteti im” (My Activity), ku përdoruesit mund të shohin se cilat të dhëna janë ruajtur dhe të fshijnë manualisht të dhëna të veçanta.

    Në një postim në blog ku njoftonte ndryshimet, CEO Sundar Pichai theksoi angazhimin e kompanisë për privatësinë, sigurinë dhe zgjedhjen e përdoruesit.

    “Ndërsa hartojmë produktet tona, ne përqëndrohemi në tri parime të rëndësishme: mbajtjen e informacionit tuaj të sigurt, trajtimin e tij me përgjegjësi dhe vënien në kontroll,” shkroi Pichai. “Sot, ne kemi kryer përmirësime të privatësisë që do të na ndihmojnë për t’i arritur këto gjëra”.

    Duke filluar nga sot, këto përditësime do të vlejnë për përdoruesit e rinj. Google do t’i fshijë automatikisht pas 18 muajsh të dhënat e regjistruara, edhe nëse përdoruesit nuk ndërmarrin asnjë veprim fare.

    Ndërsa llogaritë ekzistuese të Google nuk do të shohin asnjë ndryshim. Megjithatë mund të kryejnë fshirje automatike (Auto-delete), që aktivizohet nga faqja Kontrollet e aktivitetit (Activity Controls).

    Krahas cilësimeve të reja të paracaktuara, Google gjithashtu do ta bëjë më të lehtë për përdoruesit që të përdorin mënyrën “Incognito” të Chrome, duke lejuar përdoruesit të kalojnë në “Incognito” me një shtypje të zgjatur në foton e profilit të tyre. Karakteristika është e vlefshme në iOS dhe së shpejti do të vijë edhe në Android dhe platforma të tjera. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!