×
  • Extra
  • Tech&Auto

    Pse Facebook na njoftoi sot se ka zgjedhje në Kosovë?

    Reporteri
    06 Tetor 2019 | 17:11

    Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, po votojnë sot nga ora 07:00 deri në orën 19:00, për të zgjedhur 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës.


    Këtë proces zgjedhor, që udhëhiqet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), po e vëzhgojnë edhe 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare.

    Ndryshe nga herët tjera, këtë herë edhe rrjeti social Facebook i ka kushtuar vëmendje ditës së zgjedhjeve. Për herë të parë në Kosovë, Facebook i njoftoi përdoruesit për ditën e zgjedhjeve me njoftimin: “Është dita e zgjedhjeve! Informohu rreth votimit dhe shpërndaje që votove”, shkruan Gazeta Express.

    Si funksionon vegla e zgjedhjeve në Facebook?

    Në qendrën e ndihmës të Facebook, ekziston një shpjegim pse shohim një njoftim të tillë rreth votimit. Në përshkrimin zyrtar të rrjetit social, thuhet:

    “Mund të shihni përkujtues në ditën e zgjedhjeve se është koha për të votuar. Këta përkujtues mund t’ju ndihmojnë të zbuloni se si të regjistroheni, çfarë të prisni në ditën e zgjedhjeve dhe ku është vendosur vendi juaji i votimit. Ne i dërgojmë këto njoftime sepse duam t’i ndihmojmë të gjithë të ngrisin zërin e tyre gjatë zgjedhjeve. Ne nuk paguhemi për këto njoftime. Ne ju tregojmë atyre njerëzve se janë mjaft të rritur për të votuar, pa marrë parasysh kë e mbështesin”.

    Njoftimi i Facebook se ka zgjedhje në Kosovë, tregon numrin e njerëzve që kanë votuar (dhe kanë bërë status për këtë) së bashku me informacionet e tjera për zgjedhjet, duke u lidhur në mënyrë automatike me uebfaqen zyrtare të KQZ-së.

    I pyetur nga Gazeta Express se nëse Facebook ka qenë i lidhur me KQZ-në në ndonjë formë për të lëshuar këtë njoftim, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, mohoi se KQZ ka të bëjë me këtë.

    Duket se algoritmi i Facebook, duke u bazuar në atë se çfarë postojnë mediat, në mënyrë automatike e di për ditën e zgjedhjeve në një vend të caktuar dhe lëshon një njoftim të tillë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!