Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku ka shkaktuar mbrëmë një aksident trafiku. Siç raportoi gazeta online Reporteri.net, zëvendësministri i Qeverisë Kurti, në gjendje të dehur ka goditur me veturë zyrtare një motoçiklist. Nga Policia rajonale e Gjakovës ai është liruar në procedurë të rregullt, përkundër se në testin e alkoolit kishte rezultuar se kishte konsumuar 2.30 % promil alkool.
Policia e Gjakovës madje ka tentuar “ta fshehë” rastin duke mos e përfshirë fare në raportin 24 orësh.
Në raportin e përditshëm të Policisë së Kosovës që ka ardhur sot rreth orës 09:19, rasti nuk është raportuar fare, përkundër se ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00.
Gazeta online Reporteri.net ka marrë një konfirmim zyrtar nga lidhur me rastin nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi. Në konfirmimin e Policisë rajonale të Gjakovës për Reporteri.net nuk përmendet se aksidenti është shkaktuar nga në veturë zyrtare, e as që personi që po e drejtonte atë, në këtë rast zëvendësministri Tafarshiku ka rezultuar se ishte nën konsum të alkoolit kur ka shkaktuar aksidentin.
“Me datë 08.10.2024 rreth ores 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë, ka ndodhur një aksident trafiku mes një veture dhe një motoçiklete. Përveç dëmeve materiale, një person (ngasësi i motoçikletës) ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Me vendim të prokurori të shtetit rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt”, thuhet në konfirmimin e policisë rajonale të Gjakovës për gazetën online Reporteri.net.
Siç raportoi Reporteri.net, motoçiklisti i goditur nga vetura zyrtare me të cilën po udhëtonte zëvendësministri Tafarshiku, është një 15 vjeçar nga Gjakova.
Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në emergjencën e Gjakovës.
Pas rastit, zëvendësministrit Tafarshiku i është bërë testi i alkoolit dhe ka rezultuar pozitiv. Ai ka rezultuar se kishte konsumuar 2.30 % promil alkool. Pushtetari më pas është liruar në procedurë të rregullt. /Reporteri.net/