Shpejtësia në drejtimin e automjetit duket të jetë problem që pushtetarët nuk po arrijnë ta kontrollojnë. Viktima, të paktën në dy raste, po dalin të jenë fëmijët.
Para më shumë se dy vjetësh Ministrja Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ishte bërë kryetemë në media pasi kishte goditur me veturë një fëmijë 9 vjeçar. E sot, një zëvendësministër i Qeverisë Kurti është bërë lajm për faktin që në gjendje të dehur kishte goditur me veturë zyrtare një 15 vjeçar që ndodhej në motoçikletë, rast ky për të cilin raportoi ekskluzivisht gazeta online Reporteri.net.
Në të dy rastet fëmijët kishin pësuar lëndime trupore.
Të kthehemi te rasti i vitit 2022, si kishte ndodhur aksidenti ku ishte përfshirë ministrja Hajdari?
Më 10 prill të vitit 2022, ministrja Hajdari, kishte shkaktuar një aksident trafiku në Prishtinë. Në aksident ishte përfshirë edhe një vajzë 9 vjeçare, e cila ishte goditur nga vetura të cilën e drejtonte Hajdari.
Në shpjegimin e saj paksa kontrovers, Hajdari do të arsyetohej se fëmija ishte ajo që e goditi veturën, dhe jo anasjelltas. Ajo kishte thënë se nuk ndihej fajtore për këtë aksident.
Kjo ishte parë me shumë kritikë nga opinioni publik.
“Kam qenë në shpejtësi sipas rregullave të komunikacionit në lagjen ku banoj. Jam munduar të shmangem, për fatin e mirë që isha në shpejtësi brenda rregullave të komunikacionit jam shmangur në anën tjetër të rrugës dhe papritmas një nga dy fëmijët që ishin në vrapim, vajza ndeshet, përplaset në krillën e veturës sime të pjesës së përparme të anës së djathtë”, kishte deklaruar Hajdari.
Ministrja Rozeta Hajdari thotë se nuk e ndihet fajtore për aksidentin ku e goditi një fëmijë
Një ekspertizë për aksidentin, ku ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, kishte goditur një të mitur me veturë kishte publikuar emisioni Kiks Kosova i transmetuar në televizionin Klan Kosova, raport ky i përgatitur nga ekspertët e komunikacionit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike e i cili i ishte dorëzuar Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në raport ndër të tjera theksohej se “drejtuesja e automjetit ‘Ford Fiesta’ nuk ka treguar kujdesin e duhur gjatë lëvizjes në kushte të qarkullimit në zona urbane ku kërkesat për lëvizjen të këmbësorëve dhe lëvizjes të tjera të pamotorizuara janë më të mëdha, duke reaguar me vonesë në ndërmarrjen e veprimit të frenimit të vrullshëm me qëllim të evitimit të aksidentit”.
Ndër të tjera super-ekspertiza konstatonte se Hajdari po voziste me shpejtësi më të lartë sesa shpejtësia me të cilën do të mund të evitonte aksidentin.
Kishte pasur edhe kritika për mënyrën se si ishte trajtuar rasti nga ana e Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës në njëfarë forme e kishte fshehur rastin, duke mos e paraqitur në raportin 24 orësh, siç ndodh me gjitha rastet tjera që ndodhin në territor. Detajet që ishin dhënë më pas në raportin fillestar po ashtu ishin të mangëta.
Familja e fëmijës i ishte drejtuar me ankesë Inspektoratit Policor të Kosovës, në lidhje me mënyrën se si është hartuar raporti i gjithë aksidentit.
Inspektorati Policor i Kosovës kishte konfirmuar se kanë pranuar një ankesë të tillë.
Sipas asaj që raportohej ankesa ndërlidhej me dyshimet e familjes se sjellja e zyrtarëve policorë të trafikut nuk ka qenë profesionale, duke e hartuar raportin e aksidentit në kundërshtim me gjetjet në terren.
Familjarët e fëmijës që Rozeta Hajdari e shkeli me veturë ankohen për devijim të hetimeve
Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 200 euro ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Po ashtu, Hajdari ishte obliguar që të paguajë shumën prej 100 euro për mendimin e ekspertit të komunikacionit dhe shumën prej 900 për super ekspertizë dhe për ekspertizë mjeko – ligjore të paguajë shumën prej 50 euro.
Rasti me zëvendësministrin Ali Tafarshiku – i dehur në veturë zyrtare goditi një 15 vjeçar
Gazeta online Reporteri.net raportoi sot ekskluzivisht se Zëvendësministri i Pushtetit Rajonal, Ali Tafarshiku ka shkaktuar mbrëmë një aksident trafiku teksa ndodhej me veturë zyrtare.
Zëvendësministri i Qeverisë Kurti ka goditur me veturë një fëmijë 15 vjeçar. Zëvendësministri ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur mbrëmë e ka shkaktuar aksidentin.
Rasti ka ndodhur rreth orës 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë.
Ai ishte me veturë zyrtare kur duke mos përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës ka goditur motoçiklistin, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Pas rastit, Tafarshiku është shoqëruar në polici ku i është bërë edhe testi i alkoolit dhe ka rezultuar pozitiv. Ai doli se kishte konsumuar 2.30% promil alkool, raporton gazeta online Reporteri.net.
I njëjti pas rastit dhe intervistimit në polici është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti nuk u përfshi në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Në konfirmimin që më pas Policia rajonale e Gjakovës kishte dhënë për gazetën online Reporteri.net nuk është përmendur se aksidenti është shkaktuar nga një veturë zyrtare, e as që personi që po e drejtonte atë, në këtë rast zëvendësministri Tafarshiku ka rezultuar se ishte nën konsum të alkoolit kur ka shkaktuar aksidentin.
“Me datë 08.10.2024 rreth ores 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë, ka ndodhur një aksident trafiku mes një veture dhe një motoçiklete. Përveç dëmeve materiale, një person (ngasësi i motoçikletës) ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Me vendim të prokurori të shtetit rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt”, thuhet në konfirmimin e policisë rajonale të Gjakovës për gazetën online Reporteri.net.
Nuk ka pasur ende asnjë reagim nga Qeveria e Kosovës për rastin e zëvendësministrit të dehur që aksidentoi një 15 vjeçar duke i shkaktuar edhe lëndime trupore. Gazeta online Reporteri.net ka tentuar të kontaktojë edhe me ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka për të pyetur se a do të merren masa ndaj zëvendësit të tij, por i njëjti deri në publikimin e artikullit nuk ka kthyer përgjigje. /Reporteri.net/