Prokuroria e Gjakovës ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e shkaktuar nga zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku për të cilin sot ka raportuar ekskluzivisht gazeta online Reporteri.net.
Nga prokuroria e kanë konfirmuar se zëvendësministri Tafarshiku po e ngiste veturën në gjendje të dehur dhe se ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”
“Lidhur me rastin në fjalë ju njoftojmë se është inicuar rast për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur” nga neni 371 të KPRK-së. I dyshuari është intervistuar në stacioni policor, të dëmtuarit i është dhënë ndihma mjekësore ku ka rezultuar se ka pësuar lëndim të lehtë trupor. Rasti është në hetime dhe është duke u trajtuar në procedure të rregullt”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjakovës për Reporteri.net.
Nga burime brenda policisë, Reporteri.net merr vesh se zëvendësministri Tafarshiku ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur mbrëmë e ka shkaktuar aksidentin.
Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë.
Ai ishte me veturë zyrtare kur duke mos përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës ka goditur motoçiklistin, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Pas rastit, Tafarshiku është shoqëruar në polici ku i është bërë edhe testi i alkoolit dhe ka rezultuar pozitiv. Sipas testit të policisë në vend ngjarje, rezultoi se zëvendësministri Ali Tafarshiku kishte konsumuar 2.30% promil alkool, raporton gazeta online Reporteri.net.
Gazeta online Reporteri.net po ashtu ka raportuar se i njëjti pas rastit dhe intervistimit në polici ishte liruar në procedurë të rregullt.
Personi që është goditur nga vetura zyrtare me të cilën po udhëtonte zëvendësministri është një 15 vjeçar, raporton gazeta online Reporteri.net.
Në konfirmimin e Policisë rajonale të Gjakovës për Reporteri.net nuk përmendet se aksidenti është shkaktuar nga në veturë zyrtare, e as që personi që po e drejtonte atë, që në këtë rast zëvendësministri Tafarshiku ka rezultuar se ishte nën ndikim të alkoolit në momentin kur ka shkaktuar aksidentin.
“Me datë 08.10.2024 rreth ores 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë, ka ndodhur një aksident trafiku mes një veture dhe një motoçiklete. Përveç dëmeve materiale, një person (ngasësi i motoçikletës) ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Me vendim të prokurori të shtetit rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt”, thuhet në konfirmimin e policisë rajonale të Gjakovës për gazetën online Reporteri.net.
Për aksidentin ka folur sot edhe kryeministri Albin Kurti. Ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë nuk ka treguar se çfarë veprimesh do të ndërmerren ndaj zëvendësministrit, por ka thënë se po presin institucionet përkatëse të shtetit që të kryejnë punën e tyre fillimisht.
Kurti tha se ndihet “jashtëzakonisht keq” për atë që ka ndodhur, e u shpreh se njëjtë ndihet edhe zëvendësministri. Ai tha se beson që “shumë shpejt do të merren hapat në vijim”.
“Për sa i përket aksidentit që ka ndodhur janë organet e rendit, institucionet përkatëse të shtetit të cilët hetojnë e hulumtojnë dhe natyrisht procedura vazhdon. Mua më vjen jashtëzakonisht keq çfarë ka ndodhur. Besoj që njëjtë ndjehet edhe zëvendësministri dhe shumë shpejt do të mund të merren hapat në vijim, por na duhet njëherë që të jemi të përqendruar tek i lënduari dhe tek lejimi i organeve të rendit që ta bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale”, u shpreh Kurti. /Reporteri.net/