Policia e Kosovës ka arrestuar në orët e mbrëmjes, një 27 vjeçar i kërkuar nga shteti gjerman për veprat “Vrasje” dhe “Grabitje”.
Arrestimi i të kërkuarit me inicialet G.V i lindur në vitin 1997 është kryer në qytetin e Mitrovicës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Policia e Kosovës, gjegjësisht njësiti (FAST Kosova), me mbështetje të Njësisë elite FIT, sonte më 17.10.2024, në orët e mbrëmjes në Mitrovicë ka arrestuar një person të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga shteti gjerman, nën dyshimin e kryerjes se veprave penale, Vrasje dhe Grabitje.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar për Krime të Renda i dyshuari tani më i arrestuar, është dërguar në ndalim policor për 48 orë për të vazhduar me procedura tjera të parapara për raste të tilla.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të krimit, përderisa angazhime aktive janë duke u realizuar dhe do të realizohen në vazhdimësi edhe në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar.”, thuhet në njoftim.