Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që udhëhiqet nga Arbërie Nagavci, ka nënshkruar 10 kontrata, me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, për punë shtesë në ndërtimin e çerdheve që janë në ndërtim e sipër. Vlera e këtyre kontratave sillet rreth gjysmë milioni euro dhe shumica e tyre janë nënshkruar të njëjtën ditë, më 17 tetor, e në total në një periudhë rreth dy javore, shkruan Reporteri.net.
Një prej kontratave është për ndërtimin e objektit të çerdhes në lagjen Dardania në Prizren, vlera e së cikës është rreth 74 mijë euro.
Punët do t’i kryejë kompania “TOP PROJEKT”.
Kontratë për punë shtesë është dhënë edhe për një çerdhe që po ndërtohet në Prishtinë. Për këto punë shtesë, vlera e kontratës është mbi 73 mijë euro.
Këto punë shtesë i janë besuar konsorciumit “CONSTRUMAX SH.P.K; HARST Group SH.P.K”.
Punë shtesë kanë dalë edhe për renovimin e çerdhes që po bëhet në fshatin Shishmon të Gjakovës. Kostoja e kësaj kontrate është më e ulët, rreth 8 mijë euro.
Me këtë kontratë është shpërblyer kompania “URBOING SH.P.K”.
Mbi 11 mijë euro është vlera e kontratës tjetër që është nënshkruar për punë shtesë. Kjo kontratë është për projektin e ridestinimit të hapësirës shkollore At Gjergj Fishta në çerdhen në Bishtazhin të Gjakovës.
Kontrata është nëshkruar me konsorciumin “Euro Project” SH.P.K; Benita Company”.
Edhe në ndërtimin e çerdheve tipike P+1 në këtë komunë, kanë dalë punë shtesë. Për këto punë, është nënshkruar një kontratë në vlerë gati 76 mijë euro.
Punët do t’i kryejë operatori ekonomik “NPN EUROING SH.P.K”.
Kontratë për punë shtesë është nënshkruar edhe për renovimin e objektit të çerdhes në fshatin Korishë të Prizrenit, në vlerë prej gati 16 mijë euro.
Kontratë është nënshkruar me kompaninë “T&DESIGN”.
Rreth 74 mijë euro është vlera tjetër e kontratës, e dhënë po ashtu me negocim, për punë shtesë në ndërtimin e objektit të çerdhes P+1 në Kamenicë.
Punët shtesë do t’i kryejë grupi i operatorëve ekonomik “AC ing SH.P.K; A con SH.P.K; Bekim Baliu B.I”.
Kontratë tjetër në vlerë rreth 65 mijë euro është nënshkruar nga MASHT për punë shtesë në ndërtimin e objektit të çerdhes P+1 në Gjilan.
Këto punë do t’i kryejë konsorciumi i njëjtë si ato për çerdhen në Kamenicë, “AC ing SH.P.K; A con SH.P.K; Bekim Baliu B.I”.
Tjetër kontratë në vlerë afër 35 mijë euro është nënshkruar për ndërtimin e një çerdhe në Fushë Kosovë.
Këto punë i janë besuar kompanisë “URBOING”, që e ka fituar kontratën edhe për punët shtesë në Shishman të Gjakovës.
Ndërkohë, një kontratë tjetër në vlerë prej mbi 42 mijë euro është dhënë për ndërtimin e objektit të çerdhes në Godanc të Shtimes.
Për këto punë, kontrata është nënshkruar me kompaninë e njëjtë që do t’i kryejë edhe punët shtesë për çerdhen në lagjen Dardania të Prizrenit, “TOP PROJEKT SH.P.K”.
Ndryshe, para se të vinte në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar se do të ndërtonte 160 çerdhe. Për ta përmbushur këtë premtim, është ende larg.
Deri në fillim të këtij viti, ishin ndërtuar vetëm katër prej tyre, e në janar ishin publikuar njoftime paraprake për ndërtimin e 19 të tjerave.
Një bilanc rreth punës për ndërtimin e çerdheve e kishte bërë kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, më 16 dhjetor 2023.
“Nga viti 2003 deri në përfundim të vitit 2020, pra për 17 vite, janë ndërtuar gjithsej 4 çerdhe për fëmijë. Për 17 vjet në Kosovë janë ndërtuar 4 çerdhe, në periudhën 2003-2020. Nga marrja e mandatit tonë 2021 e deri më sot, struktura e çerdheve është si vijon: -4 çerdhe të përfunduara, -26 në proces të punës, -3 adaptime të shkollave në çerdhe në proces të punës, dhe -8 çerdhe në proces të tenderimit”, kishte deklaruar Kurti.