×
  • Lajme
  • Shqipëria

    U dënua me 2 vite e 8 muaj burg nga GJKKO, ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dyshohet se është në arrati

    Reporteri
    25 Dhjetor 2024 | 21:59

    Dy ditë pasi Apeli i GJKKO e dënoi me vendim të formës së prerë për shpërdorim detyre për tjetësimin e pronave në bregdet, ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dyshohet se është në arrati.

    Ish-zyrtari i lartë nuk gjendet në banesë nga policia e cila është urdhëruar të zbatojë vendimin e SPAK për ekzekutimin e dënimit me 2 vite e 8 muaj burg.

    Sipas informacioneve dhe verifikimeve të Prokurorisë së Posaçme në sistemin TIMS, Frrokaj ndodhet në territorin e Shqipërisë.

    Vijojnë kërkimet për gjetjen e tij dhe zbatimin e vendimit të gjykatës. Ish-zyrtari vendor u gjet fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me tjetërsimin e pronave në vendin e njohur si Rana e Hedhun.

    Frrokaj u dënua nga Shkalla e Parë me 1 vit e 4 muaj burg, ndërsa Apeli vendosi dënimin me 2 vite e 8 muaj heqje lirie.

    Së bashku me Frrokajn u dënua edhe Bledar Cara me 1 vit e 4 muaj burg. Ish-kryebashkiaku duhet të kthehet në qeli pas 8 muajsh liri, ku pritet për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit. Ai përfitoi nga amnistia penale dhe u lirua nga burgu i Reçit në 24 prill të këtij viti.

    Krahas dënimit për ish-zyrtarin e lartë, u vendos dhe heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

    Hetimi i nisur nga SPAK në vitin 2019 provoi se ish-kryebashkiaku dhe 5 zyrtarë duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun.

    SPAK thotë se gjatë viteve kur Fran Frrokaj ka mbajtur detyrën e kryebashkiakut janë përfituar në mënyrë të paligjshme 66 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Lezhës që janë tokë shtet.

    Kjo sipërfaqe toke kap vlerën e 13 milionë Euro, është konfiskuar me vendim gjykate dhe i kalon në favor shtetit.

    Frrokaj ishte dënuar me herët nga Gjykata e Apelit në Shkodër me 3 vite burg po për tjetërsim pronash. Për atë procedim penal, ish-kryebashkiaku i Lezhës ka qëndruar në qeli për 19 muaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!