×
  • Lajme
  • Botë

    Trump mban tubimin e fitores në Uashington përpara inaugurimit

    Reporteri
    19 Janar 2025 | 16:25

    Kryeqyteti amerikan Uashington është bërë gati për ceremoninë e inagurimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump. Për shkak të temperaturave tejet të ulta ceremonia e inagurimit u zhvendos në ambiente të brendshme të Kapitolit.

    Në kryeqytetin amerikan Uashington siguria është rritur ndërsa përgatitjet për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, po shkojnë drejt fundit.

    Të shtunën në mbrëmje zoti Trump ishte në klubin e tij të golfit në Stirling të Virxhinias, ku së bashku me bashkëshorten e tij Melania Trump panë një spektakël fishekzjarrësh.

    Presidenti i zgjedhur fluturoi nga Palm Beach i Floridës të shtunën drejt Uashingtonit me një avion të Forcave Ajrore amerikane. Ai i tha rrjetit televiziv amerikan Abc se në fjalimin e tij të inaugurimit do të bënte thirrje për unitet, forcë dhe drejtësi.

    Këtë të dielë, zoti Trump do të vendosë një kurorë me lule tek Varri i Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare në Arlington, shumë pranë Uashingtonit.

    Ai do të mbajë gjithashtu edhe një takim me mbështetësit e tij në Uashington.

    Ndërkohë punimet për skenën brenda Kapitolit ku do të mbahet betimi i zotit Trump, janë drejt fundit. Për shkak të temperaturave tejet të ulta ceremonia e inagurimit u zhvendos në ambiente të brendshme.

    Nëse ceremonia do të mbahej jashtë tek platforma e ndërtuar në atë që njihet si krahu përëndimor i Kapitolit do të vendoseshin rreth 1 mijë persona.

    Tashmë në ambientët e brendshme kjo shifër do të reduktohet në rreth 600 të ftuar, që do të thotë se një pjesë e të ftuarve nuk do të mund të marrin pjesë në ceremoni.

    Hera e fundit që temperaturat e ftohta zhvendosën ceremoninë në ambiente të mbyllura ishte viti 1985, kur Ronald Reagan bëri betimin për mandatin e tij të dytë.

    Pas betimit, presidenti zakonisht përshkon me limuzinën e tij një nga bulevardet kryesore të Uashingtoni e më pas ndalet duke ecur në këmbë e përshendetur turmat e njerëzve, deri sa mbërrin në Shtëpinë e Bardhë. /VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!