×
  • Lajme
  • Botë / Ceremonia

    Donald Trump zyrtarisht Presidenti i 47’të i ShBA’së, bën betimin në Kongres

    Reporteri
    20 Janar 2025 | 18:02

    Donald Trump është zyrtarisht President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një ceremoni të mbajtur në ambientet e Kongresit, Trump është betuar si presidenti i 47’të i ShBA’së, shkruan Reporteri.net.

    Ai bëri betimin me të njëjtën bibël, që e kishte përdorur edhe Presidenti Abraham Lincoln, në ceremoninë e betimit më 1861.

    “Betohem solemnisht se do të shërbej me besnikëri në Zyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe do ta bëj më të mirën për të ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”, është betuar Trump.

    Tani ai do t’u drejtohet pjesëmarrësve me fjalimin inaugurues. Ceremonia e betimit këtë herë është vendosur të mbahet brenda Kongresit, shkaku i motit.

    Pas ceremonisë, Trump pritet të mblidhet me stafin dhe anëtarët e Kongresit në dhomën e Presidentit, pranë dhomës së Senatit. Aty do t’i bëjë nominimet dhe do t’i nënshkruajë urdhrat e tij të parë ekzekutiv si president.

    Para se të niste ceremonia, Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, u pritën nga Presidenti Joe Biden dhe Zonja e Parë, Jill Biden.

    “Mirë se vini në shtëpi”, iu drejtua Biden Trumpit.

    78 vjeçari kthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi fitoi zgjedhjet presidenciale kundër demokrates Kamala Harris, në nëntor të vitit të kaluar.

    Ai ka shërbyer si president edhe gjatë viteve 2017-2021. Në vitin 2020, ai humbi zgjedhjet kundër Joe Biden, por refuzoi ta pranonte rezultatin.

    Pas një fjalimi të tij në Washington, më 6 janar, 2021, mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan. Pesë njerëz humbën jetën në trazira.

    Trump ka tre fëmijë – Donald Jr, Ivanka dhe Eric – me gruan e parë, Ivana; vajzën Tiffany me gruan e dytë, Marla Maples, dhe djalin Barron me gruan aktuale, Melania Trump.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!