Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan ka miratuar propozimin e parë legjislativ të presidentit të ri amerikan Donald Trump, i cili kërkon arrestimin e emigrantëve të paligjshëm të akuzuar për vjedhje dhe krime të dhunshme.
Për këtë propozim votuan një numër i madh demokratësh, së bashku me republikanët. Ai u miratua me 263 vota pro dhe 156 kundër.
Projektligji, i cili do t’i përcillet Trumpit për nënshkrim dhe vetëm më pas do të hyjë në fuqi, mban emrin e Laken Riley, një vajze nga Georgia e cila u vra vitin e kaluar nga një emigrant i paligjshëm nga Venezuela. Ai u dënua me burgim të përjetshëm.
Ky pritet të jetë i pari nga disa hapa që republikanët planifikojnë të ndërmarrin për të forcuar kufirin dhe për të ngadalësuar fluksin e emigrantëve në SHBA.
Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projektligjin me 46 demokratë që votuan në favor të 217 republikanëve. Senati e miratoi më parë këtë projektligj, gjithashtu me mbështetjen e 12 demokratëve.
Ligji kërkon që emigrantët e dyshuar për vjedhje ose vepra të tjera të arrestohen – edhe nëse nuk janë akuzuar për një krim.
Trump e ka bërë emigracionin në qendër të fushatës së tij dhe republikanët kanë mbështetur axhendën e tij të ashpër për emigrantët.
Demokratët, të cilët e mbështetën projektligjin, thonë se e bënë këtë sepse qytetarët që ata përfaqësojnë janë gjithashtu të shqetësuar për imigracionin.
“Amerikanët duan që ne të bëjmë diçka për kufirin dhe mendoj se do të kishim qenë nën presion të madh nëse do të kishim thënë se nuk duhet të dëbojmë kriminelët ”, tha demokrati i moderuar Tom Suozzi, i cili votoi për këtë ligj.
Përfaqësuesja demokrate Ilhan Omar, e cila i përket liberalëve, tha se “i thyhet zemra” që një numër kaq i madh demokratësh e mbështetën propozimin legjislativ.
Pete Aguilar, i cili kryeson grupin demokratik në Dhomën e Përfaqësuesve, thotë se nuk ka asnjë devijim nga kërkesa e demokratëve për reformën e imigracionit, duke shtuar se kanë qenë republikanët ata që kanë refuzuar vazhdimisht propozimet legjislative për të forcuar sigurinë kufitare dhe për të modernizuar rregulloret.
Një vit më parë, një projekt-ligj i ngjashëm kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve me mbështetjen e 37 demokratëve, por nuk arriti të kalojë Senatin e atëhershëm Demokratik.