Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se dallimet në mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje janë të mëdha dhe se këto dallime e bëjnë të pamundshëm koalicionin mes tyre, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Krasniqi ka shtuar se dallimet nuk janë vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen, teksa ka thënë se preferojnë koalicion me partitë opozitare.
“Ne kemi dallime esenciale jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen dhe nuk ka hapësirë për të pasur një qeveri PDK-VV, sepse dallime tona janë jashtëzakonshme. Ne nuk e shohim ekonominë njëjtë, as ndërhyrjen e shtetit njëjtë, as drejtat e njeriut njëjtë. Ne nuk e shohim as lirinë e shprehjes njëjtë, ne kemi dallime të mëdha. E kam thënë nuk jemi në garë me u kthy pushtet për hir të pushtetit”, ka thënë Krasniqi në T7.
Teksa ka folur për kandidatin e PDK’së për kryeministër, Krasniqi ka thënë se i kanë ndihmuar edhe garës elektorale duke kandiduar Bedri Hamzën.
“Kam qenë i bindur që kandidimi i Hamzës është i nevojshëm dhe i domosdoshëm, jo vetëm për PDK-në por edhe për garën elektorale. Bedri Hamza është njeriu që ngërthen vlerat më të rëndësishme që duhet me i pas kryeministri i ardhshëm; ndershmëria, kompetenca, profesionalizmi, integriteti, ndoshta pak fjalë e shumë punë”.
“E keni pa në Raportin e Institutit GAP del që është kryetari me përmbushjen më të madhe të premtimeve, më 92% për tri vite”, ka thënë Krasniqi.