×
  • Lajme
  • Zgjedhjet 2025 / Tensionet

    VV u prit me protestë në Skënderaj – çka ndodhi te tubimi ku ishte i nevojshëm edhe intervenimi i Policisë

    Reporteri
    27 Janar 2025 | 22:43

    Lëvizja Vetëvendosje, parti në pushtet, është pritur me protestë të hënën në Komunën e Skenderajt, në një vizitë në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Disa qytetarë kanë protestuar para vendit ku ishte planifikuar të deklarohej Albin Kurti – kryeministër i Kosovës, i cili synon edhe një mandat në këtë pozitë – si dhe janë dëgjuar duke bërtitur “Thaçi, Thaçi”, referencë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që tradicionalisht ka qenë në krye të garës në këtë komunë.

    Në zgjedhjet e vitit 2021, PDK-ja pati siguruar 70.9 për qind të votave në këtë komunë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje 20 për qind.

    Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, Policia e Kosovës është detyruar të intervenojë në aksionin e protestuesve, të cilët kanë përdorur edhe mjete piroteknike.

    Zyrtarë të Policisë së Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka të arrestuar për këtë incident.

    Përmes faqes zyrtare në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ka dështuar “përpjekja për ta pamundësuar tubimin në qytetin e Skenderajt”.

    “Vazhdojmë cep më cep vendit”, është thënë në postim.

    Vetë Kurti ka thënë në Facebook se bastioni i partisë që udhëheq është “zemra e qytetarit të Republikës”.

    “Drenica është zemra e Kosovës. Rroftë familja Jashari! Rroftë Skenderaj! Rroftë kombi shqiptar!”, ka thënë ai.

    Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku e ka dënuar këtë pritje në Skenderaj, ndërsa protestuesit i ka përshkruar si “qyqarë”.

    “Harroni që na ndalni. Po thyejmë bastione një nga një, cep më cep. Dje në Deçan, sot në Drenicë, e çdo ditë deri në 500 mijë zemrat e 9 shkurtit”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

    Anëtarë të shoqërisë civile e kanë kritikuar Çekun për gjuhën e përdorur.

    Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), ka thënë ditë më parë se subjektet politike e kanë rritur përdorimin e gjuhës nxitëse apo të urrejtjes në javën e dytë të fushatës zgjedhore.

    Në një konferencë për media, Violeta Haxholli nga kjo organizatë ka thënë se 20 për qind e fushatës, e cila ka nisur më 11 janar, ka përmbajtur gjuhë të tillë deri tani.

    Sipas DnV-së, Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur gjuhë nxitëse apo të urrejtjes në 25 për qind të aktiviteteve të saj zgjedhore, Lidhja Demokratike e Kosovës në 20 për qind, Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA në 18 për qind, dhe Partia Demokratike e Kosovës në 11 për qind.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.

    Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!