Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka theksuar mungesën e përballjes në media mes partive lidhur me programet e ofertën e tyre për qytetarët.
Në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, Hoti ka thënë se në tubimet që po mbahen po ka vetëm fyerje, sharje e krahasime të pavenda, teksa tha se LDK’ja po qëndron larg kësaj “valleje” të përçmimit të kundërshtarëve politik.
“Ne po mundohemi që të prezantojmë ofertën tonë, që të mos futemi në këtë vallen e sharjeve e përçmimeve të kundërshtarëve politik”, ka deklaruar Hoti.
Sipas tij, arsye pse partia në pushtet po ik nga debatet, është mungesa e rezultateve. Hoti ka thënë se Kryeministri Albin Kurti ka abuzuar me besimin që i është dhënë para katër vitesh.
“As nuk jep llogari para qytetarëve në tubime, as në media e shoqërisë civile, dhe as nuk kemi dëgju asnjë premtim e asnjë program nga asnjë fushë nga kryeministri në largim, i cili kërkon në ajër besim e qytetarëve”, ka thënë Hoti./Reporteri.net