Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nesër (e enjte) do të mbajë mbledhje, në rend të ditës është edhe certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“E Enjte, 27 Mars 2025, ora 16:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës me këtë rend dite.”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me votat e ardhura me postë, duke i hapur kështu rrugë certifikimit të rezultateve të 9 shkurtit, shkruan Reporteri.net.
Vendimi është marrë dje, teksa në faqen e Supremes është publikuar sot.
“Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga gjendja e tillë faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-it, si në vendimin e tij, me të cilin e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e datës 17.03.2025, të parashtruar nga subjekti politik: Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, lidhur me shpalljen e rezultateve përfundimtare për Zgjedhjet e Përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më datë 09.02.2025. Vendimi i PZAP është i qartë, i drejtë, i kuptueshëm dhe përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare nga vërtetohet se edhe e drejta materiale është zbatuar drejtë në kuptim të dispozitave ligjore…”, thuhet në arsyetim.