Ish-drejtori i Kulturës në Komunë e Podujevës që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes është dërguar në mision diplomatik në Bruksel.
Balaj me gradën diplomatike “Sekretar i Tretë” është caktuar nga ministrja në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz, që të shërbejnë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, me mandat katër vjeçar.
Ai do të nis punën në Ambasadën në Belgjikë më datën 15 maj të këtij viti, shkruan gazeta online Reporteri.net. Derisa, vendimi është nënshkruar më 14 prill 2025, nga kryediplomatja në detyrë.
Para Balajt, për të njëjtin pozicion ishte caktuar një diplomat tjetër, por siç merr vesh mediumi i njëjti kishte refuzuar vendimin për arsyeje personale. Gazeta online Reporteri.net ka kërkuar sqarime nga MPJD-ja në lidhje me rastin, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë përgjigje.
Ndryshe, Pajtim Balaj, si ish-militant dhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, deri në mars të vitit 2024, kishte shërbyer si drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Podujevë, komunë kjo e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi. Para kësaj drejtorie, Balaj gjatë qeverisjes së LVV-së në nivelin lokal, kishte udhëhequr edhe Drejtorinë për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Podujevës së udhëhequr nga Bulliqi.
Para se ta braktiste Komunën e Shpejtim Bulliqit, për t’u angazhuar si diplomat në MPJD, Balaj, sipas raportimeve të mediave, në dhjetor të 2023-ës, ishte intervistuar nga Policia, në cilësinë e të dyshuarit për një rast grantesh komunale ku implikohej edhe babai i tij si përfitues.
I kontaktuar nga gazeta online Reporteri.net për komente nëse angazhimi i tij politik në Lëvizjen Vetëvendosje ka ndikuar në detyrën diplomatike, Pajtim Balaj fillimisht ka refuzuar të përgjigjet nën arsyetimin se janë dërguar edhe rreth 30 të tjerë në misione diplomatike.
“Kur të merreni me tjerët qysh ke hulumtu për mua, kur të merresh me 29-30 që janë para meje atëherë të përgjigjem unë ty. Kur të merresh me të tjerët që janë me grada më të nalta mundesh me ardhë mu marrë me mua“, tha Balaj të mërkurën.
“Sa i përket përgjegjësive që i kam pas më herët unë kam dhënë dorëheqje. Që një vit e më shumë nuk jam as pjesë e jetës politike, as pjesë e sturkturave partiake“, shtoi ish-kandidati i LVV-së për këshilltar komunal në Podujevë, pas insistimit të mediumit në përgjigje, duke e ndërprerë pastaj thirrjen telefonike. /Reporteri.net/.