×
  • Lajme
  • Fokus 2

    Kusari-Lila: Gjykata tregoi se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 23:56

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, si partnere nga partia Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, ka shkruar për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese rreth situatës në Kuvend.

    Ajo ka thënë se ky aktgjykim tregon se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues.

    Tutje, ajo thotë se aktgjykimi obligon pjesëmarrjen dhe votimin në proces.

    Postimi i plotë:

    Me të gjitha kufizimet evidente për trajtim përmbajtësor të kërkesës së deputetëve nënshkrues, drejtuar Gjykatës Kushtetuese për procesin e votimit në seancën konstituive, vendimi i Gjykatës në thelb rithekson se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues. Çdo vonesë e mëtejme përbën shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 66 të Kushtetutës.

    Interpretimet e partive opozitare se gjoja është hedhur poshtë votimi i fshehtë nga Gjykata Kushtetuese — edhe sikur të ishin të sakta (e nuk janë) — nuk e justifikojnë mungesën në votimin e hapur për Komisionin zgjedhor. Ai votim është i hapur dhe, sipas vendimit të Gjykatës, pjesëmarrja në votim është obligim kushtetues.

    Andaj, të nderuar deputetë: mos vazhdoni me shkelje të Kushtetutës, por merrni pjesë në votim.

    Nesër, në ora 11:00, ne do të jemi aty — të gatshëm për votim dhe përmbyllje të seancës konstituive.

    Koha e mosjesëmarrjes në votim mbaroi — tani është koha për votim dhe përgjegjësi serioze ndaj Republikës dhe Kushtetutës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!