Juristja e medias, Flutura Kusari, ka bërë të ditur se ka paraqitur ankesë në Prokurorinë e Apelit, për ngamcim online nga Mentor Llugaliu.
Ajo ka thënë se Prokuroria Themelore ka gabuar në dy argumente kryesore.
Postimi i plotë:
Ankesë në rastin e ngacmimit të obsesionuar tre vjeçar nga i pandehuri Mentor Llugaliu
Sot kam ushtruar ankesë në Prokurorinë e Apelit kundër aktvendimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës me të cilin ka hudhur poshtë kallëzimin penal për ngacmim
Mbështetësi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i pandehuri Mentor Llugaliu më ka ngacmuar online – në mënyrë të obsesionuar – për tre vite duke publikuar të paktën 101 postime (përfshirë me përmbajtje seksuale dhe me bazë gjinore) në Facebook të cilat kanë gjeneruar mbi 42,000 pëlqime, 700 shpërndarje dhe 2,200 komente.
Pas hudhjes së kallëzimit penal, ashtu siç edhe prisja, ai është trimëruar sigurisht përballë testaturës dhe mobilit dhe vazhdon të më ngacmojë dhe të jetë i obsesionuar me mua. Ai ka bërë postime shtesë targetuese dhe ngacmuese që kanë gjeneruar rreth 5300 pëlqime, 300 komente dhe 75 shpërndarje.
Argumentet kryesore të parashtruara në ankesë janë:
1. Prokuroria Themelore gabimisht ka vlerësuar që në rastet e ngacmimit kërkohet komunikim direkt.
Në ankesë janë bashkangjitur dhjetra aktakuza për ngacmim përmes postimeve dhe shkrimeve (pa kontakt direkt) të cilat kanë rezultuar në aktgjykime dënuese ndaj ngacmuesëve online, përfshirë disa që janë shumë të ngjajshme me rastin tim të ngacmimit.
2. Prokuroria Themelore gabimisht ka vlerësuar që postimet e të pandehurit lidhen me pozitën dhe angazhimin tim në shoqëri.
Asnjëri nga 101 postimet ngacmuese të publikuara nga i pandehuri nuk kanë të bëjnë me pozitën apo angazhimin tim në shoqëri. Prokuroria ka dështuar të ofrojë të paktën një shembull nga 101 postimet ngacmuese për të elaboruar vlerësimin se si këto postime lidhen me angazhimin tim sepse nuk ekziston asnjë postim i të pandehurit që komenton apo kundërshton në përmbajtje kauzat në të cilat angazhohem unë.
Postimet e mbështetësit të VV-së janë ngacmime dhe kjo vërtetohet nga vetë ai me dy postime që meritojnë hetime nga e ana prokurorisë por të cilat nuk janë trajtuar fare në aktvendimin për hudhjen poshtë të kallëzimit penal.
Më datë 31 dhjetor 2024 i pandehuri ka publikuar një foto timen me mbishkrimin “E bullizuara ime e vitit ”.
Më datë 21 nëntor 2023, i pandehuri ka shkruar “…Valla Mickojë kot e ki, se për sa të jam gjallë kurrë s’kam me ta hjekë nxemjen prej maksimumi! Please #share #share veç për inati të Mickojës me kompani!”
I pandehuri ka dashur të bëhej anëtar bordi i RTK-së, proces ky që e kam monitoruar. Nuk është bërë sepse nuk e kanë votuar deputetët. Ai më konsideron mua si person me influencë të madhe në deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe si person që ka vendosur se kush do të përzgjedhet anëtar i bordit dhe rrjedhimisht më bën përgjegjëse për dështimin e tij për t’u bërë anëtar i bordit të RTK-së. Këtë e ka pranuar në postimet e tij.
Që nga ajo kohë, ai ka shkruar të paktën 101 postime ngacmuese dhe kjo dëshmon që ngacmimi i ushtruar nga i pandehuri është reagim kundër aktivizmit tim dhe hakmarrje për mospërzgjedhjen e tij si anëtar bordi.
4. Prokuroria Themelore shumë shumë gabimisht vlerëson se 101 postimet kanë të bëjnë me shpifje dhe se ato duhet të trajtohen me Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes
Shpifja është një deklaratë e pavërtetë që dëmton reputacionin ndërsa fyerja është një deklaratë nënçmuese.
Unë kam ushtruar kallëzim penal për shkak të ngacmimit dhe jo për shkak të dëmtimit të reputacionit apo për shkak se ndihem e nënçmuar. Rrjedhimisht, nuk mund t’i drejtohem gjykatës me pretendime të rrejshme kinse 101 postimet më kanë dëmtuar reputacionin.
Reputacioni im nuk është dëmtuar aspak nga postimet obsesionuese dhe hakmarrëse të të pandehurit. As nuk ndihem e nënçmuar nga termet që ai përdorë dhe këtë e kam sqaruar në kallëzimin penal dhe në deklaratën pranë prokurorit.
Obsesionimi i tij ndaj meje i shpërfaqur përmes postimeve ngacmuese më ka shqetësuar dhe vazhdon të më shqetësojnë mua dhe familjen time. Kam frikë që obsesionimi i tij mund të rezultojë me pasoja më të mëdha ndaj meje. Kjo është arsyeja përse unë i jam drejtuar Prokurorisë për vepren penale të ngacmimit.
Postimet si “e bullizuara ime e vitit”, “nonen pa ta qi mos e lasha”, “nuk kam me ta ndalë nxemjen”, “pogllavicë e krimit”, “pi*i i mickojes”, “mickoja e ka*it” nuk janë dhe nuk mund të trajohen asnjëherë si deklarata shpifëse.
Këto shprehje janë ngacmime të karakterit penal pasi që ato janë bërë nga i pandehuri në mënyrë që të më sjellë në vëmendje të vazhdueshme dhe të padëshirueshme me qëllim të ngacmimit, frikësimit dhe shkaktimit të shqetësimit emocional.
Ashtu siç kam thënë, profili i tij është i mbushur përplot me ngacmime online edhe ndaj grave të tjera – shpesh me përmbajtje seksuale – që janë prezente në jeten publike. Prandaj, jam e bindur që qëllimi kryesor i ngacmimit dhe ofrimit të platformës së tij që edhe të tjerët të më ngacmojnë ka qenë dhe mbetet që të më dehumanizojë dhe të më largojë mua dhe gratë e tjera nga jeta publike.
Për tre vite kam hezituar të ushtroj kallëzim penal për shkak se vepra penale e ngacmimit është e re dhe sepse jam frikësuar që kallëzimi penal do ta trimërojë atë që të më ngacmojë edhe më shumë. Hezitimin e kam pasur të bazuar.
Tash është në dorë të Prokurorisë së Apelit që të vendosë për këtë rast të ngacmimit të obsesionuar online që ka më shumë se tre vite që vazhdon.
Ankesa është bërë nga avokatja Albulena Ukimeri, ekipi fantastik ligjor të Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe me kontribut shtesë nga njohës të fushës, ndaj të cilëve jam mirënjohese dhe falenderuese.