Temperatura të larta dhe pakujdesia e qytetarëve po përkeqësojnë situatën me zjarret në Kosovë, ku vetëm gjatë ditës së djeshme janë raportuar 41 vatra zjarri, ndërsa 14 prej tyre vazhdojnë të jenë ende aktive.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), zjarret janë përhapur në disa komuna të vendit. Vatrat aktive janë evidentuar në këto lokacione:
Mitrovicë: Rashan
Skenderaj: Llauzhë, Aqarevë, Tërnavc, Kopiliq
Ferizaj: Burrnik, Nerodime
Istog: Zallq, Gusar
Podujevë: Batllavë, Belloshë, Hërticë, Rakinicë
Pejë: Kryshevc
Gjakovë: Zylfaj (aktiv), Shkukez (afër lokalizimit)
AME bën të ditur se Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit janë duke punuar intensivisht në terren, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, qytetarëve, vullnetarëve dhe strukturave komunale.
“Vërehet një ulje e intensitetit të rasteve të zjarrit krahasuar me ditën paraprake,” thuhet në njoftim.
Agjencia i bën thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve në ambient të hapur dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar të zjarrvënies.
“Falënderojmë zjarrfikësit, strukturat e sigurisë dhe qytetarët për ndihmën dhe bashkëpunimin,” përfundon komunikata e AME-së.