×
  • Lajme
  • Lajme

    Rreth 300 vatra zjarresh në 5 ditët e fundit, bëhet thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 13:50
    Foto nga arkiva

    Rreth 300 raste zjarresh janë regjistruar në Kosovë vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.

    Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Genc Metaj, tha se gjatë kësaj periudhe ekipet kanë ndërhyrë në 295 raste zjarresh nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

    Në konferencën e thirrur për media, Metaj deklaroi se dita më e rënduar ka qenë 7 korriku, kur janë shënuar gjithsej 66 raste të zjarreve, prej të cilave 57 kanë ndodhur pasdite.

    Metaj shtoi se situata është menaxhuar me sukses deri më tani, por rreziku mbetet i lartë për shkak të kushteve të motit.

    Sipas tij, dyshohet që zjarrëvëniet mund të jenë të qëllimshme dhe shumica prej tyre janë toka bujqësore, e që pastaj shpërndahen edhe në zona malore.

    Metaj tha se numri i zjarrfikëseve është i kënaqshëm, porse duhet të jetë edhe më i madh.

    Drejtori i AME-së, Genc Metaj tregoi se aktualisht janë 3 vatra aktive, një në Pejë dhe dy në Skenderaj.

    AME apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe bashkëpunim në parandalimin e zjarreve, duke shmangur ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura dhe duke raportuar çdo rast të dyshimtë.

    Ndër të tjera, Metaj u shprehu ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe miqve për vdekjen e shefit të Operativës në Brigadën e Zjarrfikësve të Gjakovës, Kaqun Lima.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!