Policia e Rajonit të Ferizajt ka njoftuar se ka arritur ta identifikojë personin që shkaktoi para një jave një aksident në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj dhe iku nga vendi i ngjarjes.
Bëhet fjalë për një motoçiklist, i cili ka goditur një veturë. Ndaj tij janë shqiptuar katër gjoba, shkruan Reporteri.net.
“Sipas hetimeve fillestare, aksidenti ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të distancës së sigurisë nga ana e drejtuesit të motoçikletës, i cili ka goditur automjetin VË, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Pas aksidentit, drejtuesi i motoçikletës është larguar nga vendi i ngjarjes, por më 08.07.2025 është identifikuar si E.A. dhe është ftuar për intervistim në stacionin policor në Ferizaj”, thuhet në njoftim.
Ndaj tij janë shqiptuar katër gjoba për kundërvajtje, për: Drejtim të mjetit pa patentë shofer; Drejtim me regjistrim të skaduar; Largim nga vendi i aksidentit dhe Shkaktim i aksidentit në komunikacion.
“Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe ligjet në fuqi, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në komunikacion”, ka apeluar Policia./Reporteri.net