Tri infermiere që kanë qenë duke punuar nëpër klinika të QKUK’së, janë angazhuar tani si logopede. Kolegë të tyre kanë ngritur dyshime për favorizime, meqë s’ka pasur konkurs, duke pretenduar se kjo është bërë në kundërshtim me ligjin. QKUK thotë se ka vepruar sipas ligjit. Inspektorati i Punës ka heshtur rreth këtyre emërimeve dhe ankesave të pranuara, shkruan Reporteri.net.
D.P., R.K. dhe Sh.S., të cilat deri së fundi kanë punuar si infermiere nëpër klinika të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, tani kanë pozitë tjetër. Ato janë emëruar si logopede para një muaji.
Agim Gjeli, zyrtar i lartë në Sektorin e Personelit në QKUK ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se tri infermieret në fjalë janë transferuar si logopede. Emërimet e tyre i ka arsyetuar me kërkesat urgjente dhe listën e pritjes.
Kjo thuhet se është bërë në bazë të Ligjit për Zyrtarët Publik, duke shtuar se koeficienti është i njëjtë për të dy pozitat.
“Bazuar në kërkesat urgjente të Shërbimit të Logopedisë dhe listës se pritjës se pacijenteve në kët sherbim , UD. Drejtori i QKUK-së, në bazë të nenit 65 Paragrafi 1,2,3,4 Ligji për Zyrtarët Publik Nr. 08/L-197, nenit 9 Paragrafi 5 i Statutit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës i ka transferuar Infermieret në pozitën Logoped pasi Pozitat: (Infermier, Fizioterapeut, Logoped, Teknik i Radiologjisë diagnostike, Teknik I Radioterapisë, Mjekësi sanitare, Laborant, Mami, Teknik) sipas LIGJI NR. 08/L-196 PËR PAGAT NË SEKTORIN PUBLIK SHTOJCA NR.9 – NËPUNËSI PUBLIK I SISTEMIT SHËNDETËSOR gjinden në klasën e njëjtë H16 dhe Koficientit njëjtë”, thuhet në përgjigjet e Gjelit.
Gjeli thotë se në bazë të ligjit në fuqi, nëpunëset mund të transferohen për interes të institucionit në mënyrë të përhershme në vend tjetër të punës për ushtrimin e funksioneve të njëjta ose të ndryshme, në të njëjtën kategori të shërbimit pasi përgatitja profesionale e nëpunëseve që transferohen janë në përputhje me kërkesat e pozitës në të cilën janë transferuar në pajtim me udhëheqësen/in e drejtpërdrejtë, udhëheqësen/in më të lartë administrativ dhe me pëlqimin e nëpunëses/it .
I pyetur se pse nuk u është dhënë mundësia e konkurimit për këto pozita edhe të tjerëve, Gjeli është arsyetuar me kërkesat urgjente e listën e pritjes.
“Jo nuk ka pasur Konkurs në vitin 2025 për Logoped, bazuar në kërkesat urgjente të Shërbimit të Logopedis dhe listës se pritjës se pacijenteve në kët sherbim UD. Drejtori i QKUK-së për shkak të efikasitetit ka shfrytëzuar mundësin ligjorë sipas ligjit në fuqi për transfere sipas kërkesave të ligjshme”, ka thënë Gjeli.
Emërime të njëjta janë bërë edhe para një viti, ku janë emëruar Z.M., S.M. dhe Sh.S.B..
I pyetur pse s’ka pasur konkurs as para një viti, Gjeli s’ka dhënë arsyet.
“QKUK sipas kërkesave respektive të ligjshme varësisht prej Interesit të Institucionit do të veproj sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjet e tij.
Këto emërime kanë nxitur pakënaqësi në mesin e infermiereve tjera, të cilat janë ankuar se s’u është dhënë mundësia e barabartë.
Gazeta Online Reporteri.net është në dijeni të një ankese që ka përfunduar në Inspektoratin e Punës.
Në ankesën e parë nga mediumi, emërimet e fundit janë cilësuar si favorizuese, teksa pretendohet se këto raste përbëjnë shkelje të parimeve të konkurrencës, transparencës dhe barazisë në punësim, meqë nuk u është dhënë mundësia asnjëherë të aplikojnë për këto pozita të tjerëve që kanë kualifikimet.
Nga Inspektorati është kërkuar të verifikojë këto vendime, të analizojë dokumentacionin dhe në rast se konfirmohen shkelje, të anulojë emërimet.
Reporteri.net ka dërguar pyetje në adresë të Ahmet Delollit, Udhëheqës i Divizionit të Koordinimit në Rajonin e Prishtinës në Inspektoratin e Punës, por s’ka marrë përgjigje as pas gati tri javësh, pavarësisht se pyetjet i janë përcjellë disa herë. /Reporteri.net/.