Sami Lushtaku ka bërë me dije se do të jetë kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Skenderajt.
Në një shkrim në Facebook, ai tha se kandidatura është përkrahur edhe nga kryesia e degës në këtë komunë.
“Kandidatura ime vjen edhe si rezultat i padrejtësive ndaj meje në të kaluarën, përfshirë mbajtjen e 4 vite e gjysmë burgim gjatë viteve 2013-2017, proces nga i cili në fund jam shpallur i pafajshëm, si dhe më pas, moslejimi i kandidaturës sime në zgjedhjet lokale të vitit 2021 nga KQZ, për shkak të presioneve politike nga eksponentë të pushtetit aktual i cili tashmë është në shkuarje” – ka shkruar ai.
Tutje, Lushtaku ka thënë se kandidimi i tij është thirrje për “bashkim, për zhvillim, për drejtësi dhe për dinjitetin e Skenderajt”.
“Skenderaj do të bëhet çdo vit më i zhvilluar, me punë, me projekte dhe me udhëheqje të drejtë për të gjithë kurse programin e plotë do ta paraqes gjatë javëve të ardhshme”.
Në fund, ai ka falënderuar kryetarin aktual, Fadil Nura.
“Një falënderim i veçantë shkon për kryetarin aktual të komunës, Fadil Nura, për punën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë kësaj periudhe.
Duke qenë mirënjohës përjetë për besimin dhe mbështetjen tuaj ndaj meje dhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, do të jemi bashkë si gjithmonë në çdo proces!” – ka thënë Lushtaku.