Një histori që nisi para nëntë vitesh në Kosovë, sot ka përfunduar në sallën e gjyqit në Kroaci. Piloti kroat dhe e dashura e tij, një përkthyese nga Kosova, janë në qendër të një skandali të madh me akuza për spiunazh. Ata u dërguan sot në paraburgim.
Ata u njohën në vitin 2016: ai ishte pjesëtar i kontingjentit kroat në KFOR, ndërsa ajo punonte si përkthyese për EULEX-in. Marrëdhënia e tyre ka qenë e gjatë dhe me ndërprerje, por gjithmonë e gjallë, derisa A.M. shpesh vizitonte Kroacinë. Pikërisht aty u arrestua edhe pak ditë më parë.
Prokuroria thotë se piloti ka zbuluar informacione sekrete mbi lëvizjet dhe pozicionet e forcave të KFOR-it, të cilat A.M. më pas i ka transmetuar përmes aplikacioneve të koduara. Akuza ndaj tij parashikon deri në 10 vjet burg, ndërsa ndaj saj – nga një deri në pesë vite.
A.M. është vendosur në paraburgim, me arsyetimin se ekziston rrezik arratisjeje dhe ndikimi mbi dëshmitarët. Piloti, megjithatë, nuk u fut në paraburgim, pasi gjykata vlerësoi se nuk ka më mundësi përsëritjeje të veprës – duke qenë se ai nuk është më në mision në Kosovë.
Në deklarimet e para, piloti është mbrojtur duke thënë se e dashura i dërgonte vetëm të dhëna mbi kushtet e motit, të domosdoshme për fluturime, dhe jo informacione të klasifikuara. “Dikush po më bën padrejtësi, ajo është vetëm një viktimë kolaterale,” është shprehur ai para hetuesve.
Por aktakuza është e qartë: bëhet fjalë për të dhëna ushtarake. Hetimet do të zbulojnë se për çfarë informacioni konkret bëhet fjalë. Ajo që dihet deri më tani është se A.M., përveç punës në EULEX, ka shërbyer shpesh edhe si “fikser” për ekipe gazetarësh ndërkombëtarë në terren.
Nga një lidhje që nisi si histori dashurie, rasti është kthyer në një çështje të ndjeshme sigurie, që mund të përfundojë me dënime të rënda për të dy protagonistët.