Departamenti amerikan i Shtetit ka futur në listën e sanksioneve dy ish-zyrtarë nga Mali i Zi, nën dyshimin se janë përfshirë në korrupsion të lartë dhe kanë ndihmuar në operacione të trafikimit të drogës.

Zyrtarët e sanksionuar janë ish-kryetari i Budvës dhe deputeti Millo Bozhoviq si dhe ish-kryetarja e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica.

Me vendimin e DASH, Atyre iu ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Reklamë

Në njoftim thuhet se Bozhoviq ka abuzuar me pozitat e tij publike për të mbështetur krimin e organizuar dhe operacionet të trafikimit ndërkombëtar të drogës.

Ndërkohë Medenica thuhet se ka abuzuar me pozitën e saj publike për të mbështetur një organizatë kriminale të kontrabandës duke nxjerrë informacione gjyqësore, duke ndërmjetësuar vendime gjyqësore dhe duke pranuar ryshfet për të ndikuar në vendimet gjyqësore në këmbim të parave të gatshme dhe pasurisë së paluajtshme.

“Ky vendim riafirmon përkushtimin e SHBA-së për të luftuar trafikimin e drogës dhe organizatat kriminale transnacionale si dhe korrupsionin që kërcënon interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor e përtej”, u tha në njoftim.