×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Çitaku për vizitën e Kurtit në Mitrovicë: Të mos intimidohen qytetarët, të lihen të lirë të votojnë

    Reporteri
    09 Nëntor 2025 | 16:14

    Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, ka inkurajuar qytetarët të dalin të votojnë në orët që kanë mbetur.

    Ajo ka ftuar edhe politikanët të mos e tensionojnë situatën në asnjë komunë.

    E pyetur për vizitën që ka zhvilluar sot kryetari i Vetëvendsjes, Albin Kurti, në Mitrovicë ka thënë se ato mund të ndodhin por jo të intimidohen qytetarët.

    “Njerëzit që kanë pushtet duhet të jetë të vëmendshëm dhe t’ua lënë qytetarëve të votojnë për këtë ata duan vet, jo të intimidohen qytetarët por të lihen të lirë për kë të duan të votojnë”, ka deklaruar Çitaku.

    Ajo tutje tha se këto zgjedhje nuk janë vetëm për një kandidat apo për një parti, por për drejtimin e komunave, për cilësinë e jetës dhe mënyrën e qeverisjes në nivel lokal për katër vitet e ardhshme.

    “Kandidatët tanë janë më afër qytetarëve, më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar për t’u shërbyer me korrektësi dhe përulësi. Çdo votë është një vendim për të ardhmen, dhe sot, është dita që përcakton katër vitet e ardhshme. Le të mbajmë këtë ditë demokratike deri në fund të saj me qetësi, korrektësi dhe respekt ndaj secilit votues”, ka bërë thirrje ajo.

    Çitaku tha se raportet nga terreni nga ekipet lokale tregojnë se dalja e qytetarëve në votime po rritet nga ora në orë dhe pritet që pjesëmarrja e tyre të shtohet edhe më shumë në orët e fundit, si zakonisht.

    “Kanë kaluar tashmë nëntë orë nga hapja e vendvotimeve, dhe procesi zgjedhor po zhvillohet përgjithësisht qetë dhe pa incidente serioze. Mirënjohje për punën e komisionerëve, vëzhguesve dhe gjithë qytetarëve që po kontribuojnë për një ditë zgjedhore të rregullt, transparente dhe demokratike. Siç e dini, Partia Demokratike e Kosovës garon sot në gjashtë komuna të vendit: Prizren, Mitrovicë, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash. Në secilën prej tyre, qytetarët po e shprehin vullnetin e tyre për punë, për zhvillim dhe për përgjegjësi”, ka shtuar ajo./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!