Kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratiike e Kosovës Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit në Prishtinë shpalosi programin e LDK-së për Teknologji.
Ai përmendi ndërtimin e Parkut Teknologjik të Kryeqytetit, në vlerë prej 45 milionësh euro, sepse sipas tij e ardhmja e Kosovës është dije, inovacion dhe teknologji.
“Në mbi 60 hektarë do të ndërtohet Parku Teknologjik i Kryeqytetit, me Qendrën Kombëtare të Inteligjencës Artificiale dhe 45 milionë euro investim, sepse e ardhmja e Kosovës është dije, inovacion dhe teknologji”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku në këtë tubim ka deklaruar se Prishtina e ka bërë tashmë zgjedhjen e saj politike, duke u rreshtuar sërish me LDK-në, ndërsa ka theksuar se tani mbetet që këtë orientim ta ndjekë e gjithë Kosova.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku ka vlerësuar rolin e kryeqytetit si qytet pararendës në ide, trende dhe standarde të qeverisjes, duke nënvizuar se Prishtina gjithmonë ka qenë një hap përpara.
“Prishtina është qyteti ku idetë lindin, ku trendet krijohen dhe ku politika shihet si përgjegjësi, jo si spektakël. Kur Prishtina flet, Kosova e dëgjon. Kur Prishtina lëviz, vendi ndryshon”, ka shkruar ai.
Sipas Abdixhikut, rikthimi i LDK-së si partia kryesore e kryeqytetit pas 12 vitesh nuk është rastësi, por rezultat i kthimit të besimit, seriozitetit dhe standardit të qeverisjes. Ai ka shtuar se ky trend po forcohet çdo ditë, tubim pas tubimi dhe lagje pas lagjeje.
Kryetari i LDK-së ka theksuar se fuqizimi i partisë në Prishtinë dëshmon se qytetarët e dallojnë qartë ndryshimin mes propagandës dhe punës, si dhe mes improvizimit dhe vizionit.