Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me Përparimin dhe bashkëpunëtorë, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame për Prishtinë, hoxhën Hetem Sopjani, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, administratën e Këshillit dhe imamët e Qendrës.

Gjatë takimit u diskutua për sfidat reale me të cilat përballen besimtarët dhe komuniteti në Kryeqytet, si dhe për nevojat konkrete të tyre. Po ashtu, u theksua roli i rëndësishëm që institucionet fetare kanë në jetën shoqërore, veçanërisht në forcimin e solidaritetit, ruajtjen e harmonisë dhe kultivimin e respektit dhe bashkëjetesës ndërmjet qytetarëve.

Abdixhiku vlerësoi se bashkësitë fetare janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të vendit, duke theksuar se ato luajnë rol kyç në ruajtjen e kujtesës, traditës, identitetit dhe vlerave të një shoqërie që ka ditur të qëndrojë e bashkuar edhe në kohë të vështira.

Reklamë

Në këtë kuadër, kreu i LDK-së ritheksoi përkushtimin për dialog, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët, me synimin për një Kosovë më të bashkuar, më të respektueshme dhe më humane.