Zgjedhjet e sotme e nxorën bindshëm fitues Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Për dallim nga zgjedhjet e 9 shkurtit, këtë herë ai iu afrua tepër shumë 50 përqindëshit dhe pritjet janë që ta kalojë këtë shifër pas numërimit të votave me postë dhe atyre nëpër përfaqësitë diplomatike. PDK shënoi rënie, LDK pësoi debakël, e AAK ia arriti ta kalojë pragun si e vetme. Nisma mbetet jashtë Kuvendit.
Me gati 50 përqind të votave të fituara sot, Albin Kurtit i është hapur rruga drejt mandatit të tretë si kryeministër.
Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar fitore bindëse me rreth 430 mijë vota, sipas rezultateve preliminare të KQZ’së, pa u llogaritur votat me postë, nëpër përfaqësi diplomatike e atyre me kusht. Pas VV’së renditet PDK me 21%, LDK me 13 dhe AAK me 5%.
Rezultati i sotëm ia shton VV’së edhe tetë ulëse sipas formulës “D’Hondt”, teksa për krijim të institucioneve i nevojiten veç edhe pesë vota.
“Fitorja historike” e Kurtit
Vetë Kurti e cilësoi këtë si fitore historike, e që shpërfaqi pritjet për ta kaluar edhe atë të 14 shkurtit të vitit 2021, kur e kishte në listë edhe Vjosa Osmanin, tani Presidente e vendit.
“Urime të gjithë qytetarëve, mërgatës dhe secilit padallim fitoren historike që është në rrugë të mbarë të kalojë edhe 14 shkurtin e vitit 2021. Sot ishte një ditë e gjatë përveçse e bukur dhe e rëndësishme”, tha Kurti, në konferencën për gazetarë që e mbajti në selinë e partisë. Aty edhe e nisi festën për ta zhvendosur më pas në qendër të kryeqytetit, përballë Hotelit Grand. Edhe aty mbajti fjalim ku tha se “kjo fitore është e të gjithë juve”, ndërsa u zotua se do t’i përmbushë të gjitha zotimet.
Kurti përmendi nevojën për krijim sa më të shpejt të institucioneve duke e përmendur si afat janarin e vitit 2026 dhe rëndësinë e kalimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Për këto të fundit, kërkoi bashkëpunim edhe nga partitë që u renditën poshtë VV’së.
“Sa më parë që certifikohen rezultatet aq më shpejtë duhet të formohen institucionet. Në kuvendin e legjislaturës së 10 po na pret Plani i Rritjes i BE-së, dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore. Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, për ligjet e mira që do t’i procedojmë”, tha Kurti.
Se a do ta ketë mbështetjen e partive tjera, mbetet të shihet.
PDK’në e kaplon heshtja – humb një ulëse në Kuvend
Partinë Demokratike të Kosovës, e cila në zgjedhjet e sotme u rendit e dyta me 21 përqind, e ka kapluar heshtja.
Deri tani nuk ka asnjë deklaratë nga kjo parti.
Sipas përllogaritjeve, PDK do ta ketë një ulëse më pak në Kuvend.
LDK bie në 13%, Abdixhiku se përjashton dorëheqjen
Humbjen më të thellë e përjetoi sot Lidhja Demokratike e Kosovës, në krye me Lumir Abdixhikun.
Rezultatet e KQZ’së e rendisin të tretën me 13 përqind. Ky rezultat do t’i kushtojë partisë së Abdixhikun me pesë ulëse më pak se që kishte nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Abdixhiku doli në konferencë për media e tha se ky nuk ishte rezultati që kishte pritur, por se megjithatë e respekton.
Ai tha se do ta thërras Kuvendin e LDK’së ditët në vijim për të marrë përgjegjësinë, teksa se përjashtoi as dorëheqjen.
“Dua të shpresoj që mbështetësit e LDK-së ti kem përfaqësuar me dinjitet. Një gjë do ta mbaj mend se LDK ka qenë dhe do të mbetet shtëpia e Kosovës dhe sot në këtë moment sfide LDK kja nevojë për unitet. Ka nevojë të dëgjojë më shumë, të rinovohet më shumë. Për këtë arsye do të thërras menjëherë kuvendin e LDK-së dhe para tij do ti shpalosi të gjitha çështjet, dhe përgjegësinë që mbaj unë si kryetar”, tha Abdixhiku.
AAK e kalon pragun edhe si e vetme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kaloi pragun, edhe si e vetme. Rezultatet e KQZ’së e rendisin të katërtën me diku 5%. Kjo parti pritet t’i ketë 6 deputetë.
Sikurse Abdixhiku, edhe kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, doli në konferencë. Ky shumë më herët, mënjeherë pas mbylljues së vendvotimeve dhe publikimit të Exit Poll-ve.
Ai theksoi nevojën për krijim sa më të shpejtë të institucioneve, teksa tha se për të pasur Kosova qeveri, duhet të ketë marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së.
Haradinaj shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me këto dy parti.
“Ende jemi në një situatë afërsisht të njëjtët. Po flitet për mundësinë e ndonjë rritje në numër të deputetëve. Është situatë pak a shumë e ngjashme si herën para kësaj. Jemi dakord që të krijohen institucionet e vendit, mos të ketë vonesa. Për të pasur qeveri Kosova tani duhet të presim marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së, përshkak se e dijmë që bllokada është shkaktuar një vit nga Kurti dhe VV. Por s’kemi parë gatishmëri nga këto dy parti. AAK nuk ka qitë kushte për opozitën, por tani është momenti që të reflektojmë të gjithë, të mos e vonojmë vendim. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK dhe PDK”, tha Haradinaj në konferencë për media.
Nisma mbetet jashtë Kuvendit
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Nisma Socialdemokrate në krye me Fatmir Limajn garoi në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Atëherë arriti të futej në Kuvend, ku bashkë me AAK’në kishin 8 deputetë, por që u ndanë pastaj meqë Limaj nisi negociatat me Kurtin.
Tani që ka garuar si parti e vetme, Nisma s’ka arritur ta kalojë pragun.
Votat e kandidatëve numërohen nesër në mesditë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të përfundojë sonte me numërimin e votave për partitë.
Ato të kandidatëve për deputetë, do të fillojnë të numërohen tek nesër.
Kryesuesi i KQZ’së, Kreshnik Radoniqi, bëri me dije se ky proces pritet të fillojë në mesditë.
“Numërimi i votave të kandidatëve dhe konfirmimi i votave për subjektet politike do të fillon nesër sipas marrëveshjes sone do të fillojë kah ora 12. I gjithë materiali do të pranohet sonte gjatë natës.”, deklaroi Radoniqi në konferencë.
Ndryshe, në zgjedhjet e sotme kanë marrë pjesë rreth 900 mijë qytetarë, teksa të drejtë vote kanë 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë./Reporteri.net