Pjesëmarrja e disa qytetarëve nga Kosova në protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër qeverisë shqiptare ka nxitur reagime të forta nga kryeministri shqiptar, ministra e deputetë të Partisë Socialiste.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, kanë kritikuar përfshirjen e shqiptarëve jashtë Shqipërisë në protestat në Tiranë, shkruan Reporteri.net.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se nuk e konsideron kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përgjegjës për veprimet e qytetarëve nga Kosova që marrin pjesë në protestat në Tiranë.
Ai kritikoi ashpër atë që e quajti paraqitje të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut si “diasporë” në aktivitete politike në Tiranë, duke pretenduar se organizime të tilla dëmtojnë imazhin e shqiptarëve dhe të Kosovës.
Rama ka kërkuar të të lihet Albin Kurti jashtë siç pohon “kësaj çorbe të neveritshme”, pasi thotë se Kurti nuk gjykon si sallahanet e VV-së.
“Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata”, shkroi Rama.
Ai tha se çdo forcë e madhe politike ka individë që nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet e lidershipit, ndërsa shtoi se do të fyente inteligjencën e Kurtit nëse do të mendonte se ai gjykon njësoj si personat që ai kritikoi.
“Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, shkroi Rama.
Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Besfort Lamallari poashtu ka reaguar gjithashtu pas debatit të nxitur nga pjesëmarrja e disa shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë në Tiranë.
Lamallari tha se “Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut një faktor shtetformues”.
Ai përmendi edhe faktin se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kishte kërkuar njohjen e Kosovës në Beograd.
“Prandaj, flamurin e UÇK-së kur ta valëvisni para Kryeministrisë, kujtoni se ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit”, shkroi ai në Facebook.
Ndërsa deputeti socialist Ulsi Manja, ka thënë se nëqoftëse Albin Kurti nuk paska lidhje me protestën, pse nuk distancohet.
“Dakord Kryeministër (Rama) dakord, me ty jam, po nëqoftëse Albin Kurti nuk paska lidhje me këtë çorbë qensh dhe ishalla s’ka, pse nuk distancohet qeveria e tij nga ky turp me gjoja “diasporë”?! Gjithsesi unë mendoj se nuk ka hajvanllëk më të madh se sa të vish nga Kosova për të rrëzuar qeverinë në Tiranë. Jo vetëm se nuk e rrëzon dot, por i jep një dorë të madhe armiqve të Kosovës që do thonë ja, shikojini kush janë, nuk rrinë dot pa rrëmujë e pa konflikt as me Shqipërinë që e kanë pjesë të kombit të tyre!!!”, shkruan Manja. /Reporteri.net/,