Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda partisë lidhur me kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Kosovës.

Pacolli ka mbështetur publikisht gjashtë deputetët e LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë kandidaturën e Sejdiut.

“Këta janë LDK-ja e vërtetë, që nuk bien pre e kurthit të Kurtit. Gjithmonë krenar me ju!”, ka shkruar Pacolli.

Reklamë

Reagimi i tij vjen pas deklaratave të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili bëri të ditur se Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri nuk do ta votojnë kandidaturën e Sejdiut.

Kryesia e LDK-së, ndërkaq, e kishte mbështetur më herët kandidaturën e Sejdiut “me unanimitet të plotë”.

Abdixhiku i ka kritikuar gjashtë deputetët, duke thënë se qëndrimi i tyre mund ta dëmtojë procesin për zgjedhjen e Presidentit dhe ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.