Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, është ankuar kinse për jetën jonormale e nën presion të serbëve që jetojnë në veriun e Republikës së Kosovës gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën.

Ai ka folur për aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale, derisa e ka kritikuar Kosovën e Shqipërinë për reagimet kundër gjykatës.

Ai ka ngritur zërin për “guxim të ballafaqohemi me të vërtetën” kur ka përmendur viktimat e luftës në Kosovë, ndërsa ka thënë se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës “nuk mund të varet nga negociatat politike”.

Reklamë

1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e forcave serbe në Kosovë. Prej vitesh Kosova kërkon nga Serbia hapjen e arkivave dhe qasje në lokacione të dyshuara për varre masive të shqiptarëve të zhdukur.

“Aktgjykimi përcakton përgjegjësinë individuale, nuk shpall fajësi kolektive mbi popullin shqiptar”, ka thënë Gjuriq, teksa tutje kritikoi edhe miratimin e ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, nga Kuvendi i Kosovës.

Nga ana tjetër, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka thënë se e ritheksojnë brengosjen e Bashkimit Evropian për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, duke shtuar se duhet të respektohet integriteti dhe pavarësia e gjyqësorit.

Due ka kritikuar Policinë e Kosovës me pretendimin nuk ka ndarë informata me OKB-në gjatë kohës së protestave në Kosovë që u mbajtën pas vendimit të Gjykatës Speciale më 16 shtator. Ndër të tjera, Due ka kërkuar përgjegjësi për sulmin në Banjskë dhe kanalin e Ibër-Lepencit.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku po raportohet për Kosovën, Due ka thënë se pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-komandantëve të tjerë, u organizuan demonstrata në vende të ndryshme, shumica prej të cilave, sipas tij, mbetën paqësore.

Reklamë

Due u shpreh se Policia e Kosovës është sjellë në mënyrë paqësore dhe adekuate gjatë 21 ditëve të protestave që pasuan aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Por ka thënë se nuk kanë ndarë informata me Kombet e Bashkuara, por vetëm me vendet partnere.