Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, po intervistohet prej më shumë se dy orësh në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, lidhur me dyshimet për keqpërdorime në projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama është paraqitur në Prokurori i shoqëruar nga avokati i tij, Artan Çerkini.

Para hyrjes në objekt, Rama nuk ka treguar se në çfarë cilësie do të intervistohej, ndërsa avokati kishte thënë se kjo do të bëhej e ditur pas përfundimit të intervistimit.

Reklamë

Rama është thirrur për intervistim nën dyshimin për keqpërdorime në projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Para intervistimit, Rama është deklaruar shkurt para gazetarëve.

“Detyra ime është ta ndërtoj kryeqytetin, detyra e tyre është të shohin që e gjitha bëhet në mënyrë ligjore”, është shprehur ai.

Projekti “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” ka vlerë prej 12 milionë eurosh dhe ishte iniciuar nga Komuna e Prishtinës gjatë udhëheqjes së Ramës.

Reklamë

Rreth këtij projekti janë ngritur dyshime për shkelje të procedurave të prokurimit publik. Konsorciumi fitues, i përbërë nga kompanitë “Anarch” dhe “Ardi Ç”, kishte paraqitur në dosjen e tenderit një sigurim në vlerë prej 12 mijë eurosh, shumë kjo dhjetë herë më e vogël se minimumi i kërkuar me ligj./Reporteri.net/