Mbi 300 zyrtarë të rinj policorë i janë bashkuar të premten Policisë së Kosovës, në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të.
Ceremonia e diplomimit, e cila fillimisht ishte paraparë të mbahej më 30 tetor, ishte shtyrë për shkak të mungesës së uniformave dhe pajisjeve të nevojshme për kadetët e rinj.
Në ceremoninë e së premtes mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili në fjalimin e tij vlerësoi punën e qeverisë së tij në mbështetje të Policisë së Kosovës.
Kurti u tha zyrtarëve të rinj se Qeveria do të jetë vazhdimisht në përkrahje të tyre, ndërsa theksoi se mbështetja për Policinë, sipas tij, është rritur dukshëm krahasuar me periudhat e mëparshme.
“Qeverinë tonë do ta keni përherë përkrah. Mbështetjen për Policinë e Kosovës e kemi dëshmuar vazhdimisht shumë më lart dhe pakrahasueshëm me periudhat e mëparshme. Përveç se është rritur buxheti, mbi 50 për qind, i kemi 20 stacione dhe baza që janë ngritur dhe forcuar në gjithë veriun e vendit tonë.
Policia është pajisur me armë të gjata që mungonin më herët, dhe automjete e autoblinda të reja”, u shpreh Kurti.
Ndryshe, ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të ishte paraparë të mbahej më 30 tetor, por ishte shtyrë për shkak të mungesës së uniformave dhe pajisjeve për kadetët e rinj.