Kryeministri Albin Kurti, në nisje të European Political Community në Dublin u prit nga homologu i tij irlandez Micheál Martin.
Ai me këtë rast theksoi se Kosova llogarit në mbështetjen e Irlandës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“BE dhe NATO janë organizata të domosdoshme për demokraci, prosperitet dhe sigurinë e përgjithshme. Është e rëndësishme që liderët të takohen së bashku, të diskutojnë dhe harmonizojnë qëndrimet e tyre në një kohë kur agresioni rus në Ukrainë po vazhdon dhe me luftën kinetike, sulme në infrastrukturën kritike dhe luftën hibride po shkon përtej agresionit në Ukrainë”, tha kryeministri Kurti.
Ai ndërkaq falënderoi popullin e Irlandës për strehimin e më shumë se një mijë refugjatëve shqiptarë të Kosovës më 1999, kur u dëbuan nga mëmëdheu i tyre për shkak të gjenocidit të forcave të armatosura të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit dhe Jugosllavisë.
Një falënderim të veçantë kryeministri Kurti kishte edhe për pjesëtarët e KFOR-it irlandez për shërbimin e tyre për më shumë se dy dekada e gjysmë, për të siguruar paqe, siguri e mbrojtje për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Samiti i nëntë i Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin, bashkon udhëheqës nga të dy shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe vende të tjera evropiane për të diskutuar sfidat e përbashkëta të sigurisë, zhvillimet gjeopolitike dhe mundësitë për bashkëpunim në të gjithë kontinentin.
Sot, rreth 50 udhëheqës ndërkombëtarë do të mblidhen në Qendrën e Konventave në Dublin për një takim të EPC-së. Irlanda kryeson presidencën e BE-së deri në fund të vitit dhe ngjarjet e saj kryesore, Komuniteti Politik Evropian (EPC) dhe takimi joformal i Këshillit Evropian, do të zhvillohen këtë javë.
Kujtojmë, Ukraina, inteligjenca artificiale dhe kërcënimet hibride në të gjithë Evropën do të dominojnë takimet kryesore të BE-së në Dublin të enjten dhe të premten. Bisedimet mbi inteligjencën artificiale do të jenë diskutimi i parë i tillë midis udhëheqësve të BE-së.
EPC është forum joformal për udhëheqësit evropianë për të zhvilluar diskutime politike dhe strategjike mbi çështje me shqetësim të përbashkët. U krijua në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe takohet dy herë në vit. Tema e samitit në Dublin është “Evropa – e fortë, e sigurt dhe e lidhur”.