Kur fëmija vizaton në mur dhe fajëson dikë tjetër, ose kur zhduken biskotat nga kutia dhe ai mohon se i ka ngrënë, shumë prindër e gjejnë veten përballë situatave të tilla. Por, sipas ekspertëve, gënjeshtrat e vogla të fëmijëve nuk janë gjithmonë një shenjë negative. Përkundrazi, ato mund të jenë pjesë e zhvillimit normal mendor dhe emocional.

Psikologia klinike Dr. Jade Redfern shpjegon se aftësia për të gënjyer është një nga aftësitë që fëmijët zhvillojnë gradualisht, duke eksperimentuar me mënyra të ndryshme për të ndikuar te të tjerët dhe për të kuptuar reagimet e tyre.

Një studim i Universitetit të Bristolit ka zbuluar se rreth një e katërta e fëmijëve shfaqin shenja të të kuptuarit të mashtrimit që në moshën 10-muajshe. Sipas studiuesve, edhe në këtë moshë të vogël, fëmijët mund të përdorin mënyra të thjeshta për të fshehur veprimet e tyre.

Reklamë

Rreth moshës dyvjeçare, ata mund të bëjnë sikur nuk e dëgjojnë prindin, të mohojnë se kanë bërë diçka apo të kryejnë fshehurazi veprime që u janë ndaluar. Ndërsa në moshën trevjeçare, bëhen më të zgjuar dhe krijues në mënyrën se si përpiqen të fshehin të vërtetën.

Për shembull, një fëmijë mund t’u tregojë prindërve se vëllai apo motra e ka goditur, por të mos përmendë se ai vetë e ka nisur i pari konfliktin.

Ekspertët shpjegojnë se kjo sjellje lidhet me zhvillimin e aftësisë për të kuptuar se njerëzit e tjerë kanë mendime, dëshira dhe ndjenja të ndryshme nga të tyret. Ky proces është i rëndësishëm për zhvillimin e empatisë dhe të marrëdhënieve shoqërore.

Një tjetër arsye pse fëmijët gënjejnë është frika se mos zhgënjejnë prindërit ose ndëshkohen për gabimet që kanë bërë. Ata kanë nevojë për dashurinë dhe pranimin e prindërve dhe ndonjëherë zgjedhin të fshehin të vërtetën për të shmangur një reagim negativ.

Për këtë arsye, psikologia Redfern këshillon prindërit të krijojnë një ambient ku fëmijët të ndihen të sigurt për të pranuar gabimet e tyre, pa pasur frikë se do të qortohen apo ndëshkohen menjëherë.

Reklamë

Ajo sjell si shembull rastin e një nëne, e cila tregoi se djali i saj fillimisht mohoi se kishte dëmtuar biçikletën e të vëllait. Në vend që të zemërohej, ajo i tha se nuk do të kishte probleme të mëdha nëse tregonte të vërtetën dhe i dha pak kohë për të reflektuar. Pas pak, fëmija pranoi se çfarë kishte ndodhur dhe të dy biseduan qetësisht, pa bërtitje dhe pa konflikte.

Sipas ekspertes, ky është pikërisht reagimi që duhet të kenë prindërit. Në vend që të përqendrohen vetëm te gënjeshtra, duhet të përpiqen të kuptojnë arsyen pse fëmija zgjodhi të mos tregonte të vërtetën.

Prindërit duhet gjithashtu t’i mësojnë fëmijët të tregohen të kujdesshëm me fjalët, sidomos kur komentojnë pamjen apo ndjenjat e njerëzve të tjerë. Bisedat e hapura dhe reagimet me mirëkuptim i ndihmojnë ata të kuptojnë se si mund të ndikojnë fjalët dhe veprimet e tyre te të tjerët.

Në fund, ekspertët theksojnë se gënjeshtrat e vogla gjatë fëmijërisë nuk duhen parë menjëherë si problem serioz. Ato mund të jenë pjesë e procesit të rritjes dhe të zhvillimit të mendimit. Ajo që ka më shumë rëndësi është mënyra se si reagojnë prindërit, duke u mësuar fëmijëve se është gjithmonë më mirë të thonë të vërtetën dhe se një gabim mund të pranohet e të korrigjohet pa frikë.

Reklamë