Erërat e fuqishme që kanë përfshirë Ferizajn gjatë mbrëmjes së sotme kanë shkaktuar dëme materiale në biznese, ndërtesa publike dhe automjete, ndërsa është raportuar edhe për një person të lënduar.

Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin daljet dhe lëvizjet e panevojshme, për shkak të rrezikut nga erërat e forta.

“Erërat e fuqishme që kanë përfshirë mbrëmjen e sotme territorin e Ferizajt, përfshirë edhe rrugët magjistrale, kanë shkaktuar dëme materiale në biznese, ndërtesa publike dhe automjete. Po ashtu, është raportuar për një person të lënduar në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Reklamë

Sipas Policisë, ekipet policore, në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe ekipet emergjente, janë në terren dhe po intervenojnë në rrugë e hapësira publike ku erërat kanë shkaktuar dëme dhe pengesa në qarkullim.

“Ekipet policore, në bashkëpunim edhe me komunën e Ferizajt, me ekipet emergjente, janë në terren dhe po intervenojnë në rrugë dhe hapësira publike, ku erërat kanë shkaktuar dëme dhe pengesa në qarkullim. Gjithashtu, po trajtohen edhe raportimet e qytetarëve”, thuhet më tej në njoftim.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që për çdo rast emergjent të kontaktojnë numrat 192 për Policinë, 193 për Zjarrfikësit dhe 194 për Emergjencën.