Mediet në Spanjë raportojnë se Real Madrid tashmë ka marrë vendimin për ta aktivizuar klauzolën e riblerjes së yllit të Comos, Nico Paz, vlera e të cilit vazhdon të rritet, pavarësisht se gjatë verës ishte vlerësuar me 120 milionë euro.

Nico Paz po vazhdon të shkëlqejë te Como.

Ai sezonin e kaluar realizoi 12 gola dhe dhuroi shtatë asistime në 35 paraqitje në kampionat, ndërsa në sezonin 2026/27 ka regjistruar tashmë gjashtë gola dhe tetë asistime në 14 ndeshje me klubin italian.

Reklamë

Këtyre statistikave u shtohen edhe pesë golat në pesë ndeshje me Kombëtaren e Argjentinës këtë sezon.

Në vendlindjen e tij, Paz po shihet si një prej kandidatëve për ta trashëguar fanellën ikonike me numrin 10 të Lionel Messit te përfaqësuesja argjentinase.

Madje, ish-futbollisti Juan Sebastian Veron ka deklaruar se ylli i Comos “bën gjëra që i kam parë vetëm te Messi dhe Diego Maradona”.

Gjatë dy viteve të fundit, Nico Paz është gjendur në mes të një beteje mes klubit aktual, Comos, dhe ish-klubit të tij, Real Madridit.

Paz iu bashkua Comos në verën e vitit 2024 për vetëm gjashtë milionë euro, por marrëveshja përfshinte një klauzolë prej 50 për qind të përfitimit nga shitja e ardhshme për Real Madridin, si dhe disa opsione riblerjeje me çmime të ulëta, duke filluar nga vetëm nëntë milionë euro.

Reklamë

Megjithatë, gjatë afatit kalimtar të verës së fundit, Como dhe Real Madrid arritën të rinegocionin kushtet e marrëveshjes për argjentinasin.

Klubi italian pranoi të paguante edhe 60 milionë euro shtesë për ta hequr klauzolën prej 50 për qind të përfitimit nga shitja e ardhshme, të cilën e kishte në pronësi Real Madridi.

Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se Como ka kontroll të plotë mbi të ardhmen e Nico Pazit.

Marrëveshja e re përfshin edhe një tjetër klauzolë riblerjeje për Real Madridin, e cila është vendosur në vlerën prej 80 milionë eurosh dhe mund të aktivizohet vetëm në verën e vitit 2027.

Reklamë

Sipas raportimeve të gazetarit spanjoll Melchor Ruiz në “Deportes COPE”, Real Madrid tashmë ka vendosur ta aktivizojë këtë klauzolë prej 80 milionë eurosh dhe ta rikthejë Nico Pazin në “Santiago Bernabeu” gjatë verës së ardhshme.