Ministri në detyrë i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, është nervozuar pas raportimit të televizionit KTV, për gruan e tij.
Matoshi ka reaguar pas publikimit të pamjeve ku gruaja e tij shihet me një grusht parash në dorë gjatë ndejës së Vitit të Ri.
Ai po thotë se është keqpërdorur video dhe sipas tij shuma prej 150 eurosh që gruaja e tij e mban në dorë, nuk i përkasin asnjërit prej tyre.
Reagimi i plotë i Matoshit:
Viti 2019 ishte vit i sukseshëm për mua dhe familjen time. Duke qenë kështu, bashkë me Buqen vendosëm që në natën e vitit të ri sikurse edhe herave të tjera, të ndihmojmë disa familje në nevojë, dhe ndihmuam dy familje me 300 euro nga buxheti i familjes tonë, (mediat tjera përveq kazanit KTV mund ti marrin edhe emrat e familjeve që i ndihmuam), poashtu e kaluam vitin e ri me fëmijët dhe familjarët tanë, dhe një mbrëmje e kaluam edhe me miqtë tanë jashtë shtëpisë.
Ishte një mbrëmje e mirë dhe i falënderojmë të gjithë miqtë që ishin me ne, në këtë mbrëmje luajtëm, u argëtuam, postuam foto e video.
Një KAZAN i quajtur KTV, njërën nga këto video e keqpërdori për të keqinformuar opinionin edhe pse i pati të gjitha të dhënat rreth asaj se qka ka ndodhur dhe e plasoj atë me titullin “Një grusht me para”, shkroi për luksin e tepruar dhe e shoqëroj edhe me shumë lajme të tjera të kësaj natyre.
Sa për sqarim të opinionit dhe jo të Kazanit, më duhet të njoftoj se bëhet fjalë për 150 euro (që mund të shihen edhe në video) të cilat rastësisht janë në dorën e gruas time dhe nuk më përkasin as mua e as asaj, por janë pjesë e një loje mes miqësh. Gruaja ime nuk është politikane, dhe as nuk mund ta kishte idenë se një lojë mes miqësh mund të keqpërdoret nga një media për sulm ndaj përfaqësuesve politik.
Lajme të këtilla pos që degradojnë në masën më të madhe misionin e medias, nuk i bëjnë asnjë të mirë as vendit dhe as institucioneve.
Jam krenar për vete dhe për gruan time, sepse punojmë ndershëm, jetojmë ndershëm dhe ndihmojmë edhe tjerët aq sa mundemi.
Unë vazhdojë të jem Ministër i MMPH-së, poashtu vazhdojë të jem njëri ndër ministrat më kursimtar të parasë publike dhe luksit nga buxheti i shtetit, poashtu do të vazhdojë të jem transparent deri në ditën e fundit të mandatit tim si shërbyes publik.